Roma vendosi të shkarkonte Eusebio Di Françeskon me 7 mars të këtij viti. Kohë nuk kishte për një emër të madh dhe u gjet një zgjidhje e përkohshme: nevojitet një trajner për të mbyllur sezonin me objektiv kualifikimin e verdhekuqve në Champions.
Oferta iu bë Klaudio Ranierit, i cili pranoi pa kushte. Ai është një romak puro dhe Romën e ka në zemër. 67-vjeçari ka folur përpara ndeshjes kundër Juventusit, që zhvillohet të dielën në darkë.
Ranieri zbulon të ardhmen e tij, analizon sfidën që duhet fituar me çdo mënyrë, nuk rresht kurrë së përsërituri pasionin e madh që ndjen për ekipin që drejton dhe e mbyll me një këshillë për drejtuesit e klubit.
“Kundër Juventusit fitohet me vendosmëri dhe përqendrim. E dimë që kemi humbur një mundësi të mirë në Xhenova dhe tifozëve duhet t’u tregojmë reagimin tonë. Kemi edhe tre ndeshje për të mbërritur në Champions dhe nuk duhet të kemi pengje. Nuk duhet të tërhiqemi tani, por të japim maksimumin që prej ndeshjes me bardhezinjtë.
E ardhmja ime? Erdha këtu sepse Roma më thirri. Jam një tifoz dhe erdha me dëshirën më të madhe. Fundi i sezonit sjell edhe fundin e punës time këtu. Juventusi është një pikë referimi. Roma ka nevojë jetike për të patur stadiumin e vet. Më pas mund të nisë rivaliteti me Juven, por pa stadium do e ketë shumë të vështirë”, përfundon Klaudio Ranieri.