Marko Xhampaolo ka thënë fjalët e para si trajneri i Milanit. 51-vjeçari i lindur në Zvicër ndihet shumë i lumtur dhe i emocionuar për faktin që do të drejtojë kuqezinjtë, që janë klubi i parë i madh në karrierën e tij.
Puna e madhe, përulësia dhe futbolli i bukur japin frytet e veta një ditë dhe ajo ditë ka ardhur për Xhampaolon. Trajneri ndalet edhe te dyshja Maldini-Boban, duke mos i kursyer elozhet për drejtuesit. Me kalimin e kohës do i njohë më mirë, por diçka kanë arritur t’ia transmetojnë që në fillim, pasionin e madh për të punuar dhe arritur gjëra të bukur me Milanin.
MILANI – “Kam punuar shumë për të patur një mundësi të tillë. Milan është ndër klubet më të suksesshëm dhe më të rëndësishëm në botë. Është një shans i artë për mua. Jam i lumtur dhe shumë i motivuar. Udhëtimi për të mbërritur këtu ku jam ka qenë i gjatë dhe nuk ka mbaruar ende, sepse nuk ka kurrë një fund. Për momentin, jam i lumtur të nis këtë aventurë në këtë klub të madh. Kam pushuar mjaftueshëm dhe mezi po pres të nis punë.”
MALDINI-BOBAN – “Jam befasuar nga profesionalizmi, kompetencat dhe pasioni i Maldinit dhe Bobanit. Ata përcjellin kuptimin e vërtetë të Milanit, çfarë do të thotë të luash, drejtosh apo jesh pjesë e këtij klubi. Janë individë të një klasi të lartë. Do njihemi më shumë me kalimin e kohës dhe eksperienca ditore i përsos lidhjet midis njerëzve. Historia e tyre flet vetë, ndërsa pasioni i tyre ishte ngjitës.”