Ivan Rakitiç i vë “vulën”, PSG e dëgjove?

Ivan Rakitiç ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë te Barcelona. Katalanasit i mbyllën dyert PSG-së për shërbimet e mesfushorit kroat, ndërkohë që edhe trajneri Ernesto Valverde ishte i qartë kur tha në konferencën për shtyp para ndeshjes me Vajadolid se ai e planifikon skuadrën e tij me Rakitiç në fushë.

Tanimë ka ardhur edhe komenti i vetë mesfushorit, i cili ndihet mjaft mirë te Barcelona dhe nuk e sheh të arsyeshme të lëvizë. “Kam reflektuar gjatë këtyre ditëve për të ardhmen time dhe kam vendosur të qëndroj. Është një privilegj që mbaj të veshur fanellën e Barcelonës”, ka thënë kroati mes të tjera.

Kontrata me katalanasit i përfundon më 30 qershor të vitit 2020, ndaj edhe duhet që spanjollët të tentojnë rinovimin e kontratës me mesfushorin. Rakitiç është gati të bisedojë, ndaj edhe nënshkrimi i kontratës së re nuk besohet të jetë larg. PSG tentoi ta merrte mesfushorin këtë verë, por nuk ishte gati të paguante klauzolën prej 125 milionë eurosh.

Oferta e tyre shkonte deri në 90 milionë euro dhe Barcelona, nëse bindej Rakitiç, edhe e shiste, duke e parë që mesfushori tashmë është 30-vjeç. Verën e ardhshme çmimi i tij do të bjerë ndjeshëm dhe ky mund të ishte momenti më i mirë për të përfituar në aspektin financiar. Gjithsesi tanimë mesfushori i ka vënë “vulën” dhe do të qëndrojë te Barcelona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *