Emanuel Egbo është një nga afrimet më cilësore në vendin tonë, flasim për kohën kur ai luajti futboll dhe fitoi gjithçka me fanellën e Tiranës. Për ish-portierin, i cili mbetet pjesë e bardhebluve, klubi kryeqytetas është një familje për të.
Egbo e thotë pa komplekse diçka të tillë: “Tirana është familja ime e dytë, jam bërë shqiptar me nënshtetësi dhe këtu do ngelem. Unë shkoj vetëm 1 herë në vit në Nigeri”. Si çdo njeri i sportit, Egbo ka përjetuar suksese dhe dështime.
“Emocionet më të bukura i kam përjetuar kur kam fituar kampionatin, pastaj Kupën dhe Superkupën. Më pas jam ndjerë keq kur ramë nga kategoria. Nuk kam ngrënë ushqim për tre ditë, isha i shkatërruar plotësisht”, rrëfen Egbo.
Tifozët bardheblu e presin titullin prej vitesh. Trajneri i portierëve të Tiranës e ëndërron ta përjetojë sërish një moment të tillë. Tanimë nga një tjetër pozicion. “Dëshira ime më e madhe për Tiranën është që të dalim edhe njëherë kampionë”, përfundon Egbo fjalën e tij për “TV Klan”.