Alimehmeti: Mema filozofi ndryshe nga Ze Maria, ju tregoj pse Tirana e nisi dobët kampionatin!

Këndvështrimi i Krenar Alimehmetit për situatën e Tiranës në këtë periudhë më shumë fokusohet te ritmika e kampionatit, pasi sipas tij, në Kupë e ka të sigurtë kualifikimin ndaj Flamurtarit. Për SportEkspres.com, Alimehmeti deklaron se ndryshimi i trajnerit ka sjellë edhe shpirtin bardheblu të munguar më parë. Njëherësh ai deklaron se përshtatja pas ardhjes nga Kategoria e Parë, ende nuk është e plotë për Tiranën në këtë sezon.

“Tirana e kishte marrë shumë lehtë kampionatin, ndoshta edhe nga mospërshtatja e saj me Superioren. Një tjetër faktor ishte edhe ndryshimi i trajnerit në fillimin e kampionatit, pasi nga Ze Maria duket qartë ndryshimi i filozofisë së tyre dhe efektet reale në këtë periudhë”, kështu deklaroi në këtë intervistë ish-futbollisti e trajneri i Tiranës, Krenar Alimehmeti.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Si e përshkruani situatën e Tiranës në ndeshjet e luajtura gjatë muajit janar, në kampionat dhe në Kupë?
-Të dy kompeticionet kanë specifika të ndryshme dhe nisur nga ky këndvështrim, mendoj se Tirana ka treguar ndryshim cilësor në raport me paraqitjet në gjysmën e parë të sezonit. Në këtë progres unë shikoj se është rritur besimi te skuadra, ndaj edhe përfaqësimi ka qenë më dinjitoz.

Ku i shikoni ndryshimet më të spikatura te Tirana në këtë periudhë?
-Si treguesi më kryesor i ndryshimeve cilësore mendoj se është drejtimi teknik nga trajneri Ardian Mema, i cili ka sjellë një fizionomi fituesi te skuadra. Tashmë shpirti bardheblu po ndjehet në këto ndeshje dhe ndryshimet po qartësohen më shumë nga rritja graduale e skuadrës.

Pse Tirana është në vendet e fundit të renditjes në kampionat?
-Tirana e kishte marrë shumë lehtë kampionatin, ndoshta edhe nga mospërshtatja e saj me Superioren. Një tjetër faktor ishte edhe ndryshimi i trajnerit në fillimin e kampionatit, pasi nga Ze Maria te Mema duket qartë ndryshimi i filozofisë së tyre dhe efektet reale në këtë periudhë.

Pse e veçoni trajnerin Ardian Mema në këtë situatë që po kalon Tirana?
Sepse si pinjoll i familjes së madhe bardheblu me mbiemrin “Mema”, Ardi e njeh mirë mentalitetin e Tiranës dhe këtë ai e ka “injektuar” te skuadra. E veçoj këtë sepse është karakteristikë e veçantë. Shpirti bardheblu në fushën e lojës është pjesë e sukseseve të Tiranës.

Sot Tirana luan në Vlorë ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Kupës, e mendoni të kualifikuar?
-Nisur nga rezultati i pastër 2-0 në takimin e parë, Tirana është më pranë kualifikimit. Por duke e parë edhe situatën jo fort të mirë te Flamurtari, mendoj se është momenti që Tirana të mendojë për ndeshjen e turit të tretë të Kupës, ku do presë rezultatin e ndeshjes Laçi-Bylis.

Në tërësinë e 20 javëve të luajtura në Kategorinë Superiore, çfarë tregojnë rezultatet?
-Në tërësi mendoj se renditja tregon realitetin e skuadrave, por jo tek të gjitha. Për nga luhatjet që kanë treguar skuadrat nga ndeshje në ndeshje, më duket një kampionat i çuditshëm. Sepse humbasin thellë në fushat e tyre dhe fitojnë në transfertë.

Në fundjavë luhen ndeshjet e javës së 21-të, mendoni se do të ketë ndonjë surprizë mes tyre?
-Flasim gjithmonë për surpriza, por ato nuk varen nga parashikimet tona. Shikoj si më favorite të gjitha skuadrat vendase, por do të dëshiroja që të kemi një vazhdimësi të pastër si deri në këto javë të luajtura dhe çdo skuadër të marrë atë që do meritojë në fushën e lojës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *