Visente Del Boske njihet për periudhën e tij të artë në stolin e kombëtares së Spanjës, ku fitoi Botërorin e vitit 2010 dhe Europianin e dy viteve më pas. Prej kohësh, ose më saktë, që nga viti 2016, kur la Spanjën, 68-vjeçari nuk ka marrë asnjë ekip tjetër.
Së fundmi, Del Boske ka folur për mediat, në kuadër të “El Clasicos”, që do të zhvillohet sot, si dhe ka diskutuar mbi duelin e përjetshëm mes Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit. Sipas spanjollit, Mesi është më mirë se Ronaldo, pasi është lojtar më shumë natyral, duke habitur disi me përgjigjen e tij.
“Jam më shumë për Mesin. E shoh si lojtar më shumë natyral. Kristiano ka guxim të jashtëzakonshëm dhe kualitet e tij fizike dhe teknike janë fantastike, por vijoj të mbaj anën e Mesit. Barcelona më duket më lart se Reali për momentin. Pavarësisht se Ronaldo nuk është më pjesë e tyre, kanë kampionë të tjerë si Bejl dhe Benzema. Janë në lojë për të gjitha trofetë dhe kam besim.”