Ilir Daja, trajneri i Flamurtarit, ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Kukësin. Sigurisht tema nuk ka qenë vetëm përballja me verilindorët, por edhe vendimi i djeshëm i marrë nga Komisioni i Disiplinës, që dënoi me një ndeshje Idriz Bathën. Në fund ai foli edhe për objektivat sezonale, ndërkohë që mirëpret faktin se ndeshja me Kukësin do të ketë edhe tifozëv.
NDESHJA – “Kukësi ka bërë më mirë se ne deri në këto momente, por ne kemi një bonus: në ndeshjen direkte të fazës së parë kemi marrë fitore. Luajmë në transfertë, në një fushë asnjanëse, që do të thotë se të tre rezultatet janë brenda. Duhet të bëjmë atë lojë që zhvilluam në pjesën e parë ndaj Teutës”.
“Prania e tifozëve? Ndeshja me tifozë është gjithmonë më e mirë, edhe nëse ata mbështesin vetëm ekipin kundërshtar. Do të mendoj anën pozitive, prania e tifozëve është motivuese, qofshin këta kundërshtarë”.
VENDIMI I DISIPLINËS – “Nuk e di çfarë mund të ndodhë deri në momentin e ndeshjes. Ne kemi punuar gjatë gjithë javës me Bathën në formacion, por tani nuk e kemi, meqë e dënoi Disiplina. Do ta ndiejmë shumë mungesën e tij. Më mirë të presim orarin e ndeshjes për të parë se kë kemi në dispozicion. Nuk mund të merret vendim me pamjet filmike, sepse aty kanë qenë të gjithë arbitrat. Sepse i bie që edhe neve të na heqin tre kartonë të verdhë që i kemi marrë pa të drejtë. Nëse përdorim pamjet, Veliut i hiqet kartoni sepse nuk e ka prekur fare kundërshtarin. Nuk mund të merren vendime mbi vendimet e gjyqtarit”.
OBJEKTIVI – “Edhe pse presidenti e thotë gjithmonë, që objektivi është të kënaqim publikun vlonjat, synimi ynë është të luajmë në Europa League. Pra të renditemi të paktën në vendin e tretë ose të katërt”.