Feronikeli e Llapi ia kanë dalë të fitojnë, edhe pse Gjilani e Drita janë munduar t’i pengojnë në rrugën e tyre. Skuadra nga Drenasi e zhbllokoi ndeshjen shumë shpejt, teksa ishte sulmuesi Kastriot Rexha ai që shënoi ndaj ish-skuadrës së tij. Protagonist ishte edhe Zhan Karioka, i cili realizoi edhe golin e qetësisë.
Skuadra e drejtuar nga Gentian Mezani nuk mundi të bëjë diçka ndaj Feronikelit dhe e sheh veten në pozicion të vështirë. Nga ana tjetër për trajnerin Zekerija Ramadani shqetësimi kryesor është sulmuesi Rexha, i cili në pjesën e dytë pësoi një dëmtim dhe u zëvendësua.
Për t’u zhvendosur te Llapi, që me vështirësi ka mposhtur kampionët në fuqi të Dritës. Ka mjaftuar një gol i Festim Alidemës dhe skuadra e Batatinës ruan distancën prej dy pikësh me Feronikelin kryesues.
Fitore shumë e rëndësishme për skuadrën e Ferizajit, që mposhti me “poker” në transfertë Ballkanin rival për mbijetesë. Takimi përfundoi me shifrat 2-4 dhe Dren Gashi ishte ai që shënoi dy golat e parë për miqtë, kurse më pas Dautaj dhe Krasniqi bënë që goli i Topallit të kishte vetëm vlera statistikore.
IPKO SUPERLIGA E KOSOVËS – JAVA 29
E shtunë, më 27 prill 2019, ora 15:30
Ballkani-Ferizaj 2-4
Shënues: Topalli 39’, Nebija 93′ / Gashi 29’, 48’, Dautaj 64’, Krasniqi 91’
Feronikeli-Gjilani 2-0
Shënues: Rexha 8’, Karioka 35’
Llapi-Drita 1-0
Shënues: Alidema 72’