Luka Modriç është në mes Realit dhe Interit. Së fundmi ka folur edhe agjenti i tij, Marko Naletiliç, deklarata e të cilit ka rikthyer shpresat në ambientin zikaltër.
“Herët apo vonë, Luka do të luajë në Itali. Modriç dëshiron të jetë një yll në Serinë A me Interin, por të shohim…”, është shprehur agjenti i kroatit për gazetën “Tuttosport”.
Reali i Madridit nuk dëshiron në asnjë mënyrë largimin e një prej mesfushorëve më të mirë në botë dhe është gati për t’i rinovuar kontratën. Ky i fundit po reziston dhe dëshira e tij është kalimi në futbollin italian, ku Interi dhe tri kroatë si: Brozoviç, Vërsaljko dhe Perisiç, po e presin me padurim.
Nëse 32-vjeçari kroat nuk rinovon dhe Reali refuzon çdo ofertë, ekziston mundësia që Modriç të transferohet në Milano vitin e ardhshëm. Kontrata me Realin i skadon në vitin 2020 dhe këta të fundit do të dorëzoheshin, pasi nuk mund ta humbasin lojtarin pa asnjë fitim.
Interi nga ana tjetër e kërkon që këtë vit, por duhet të përgatisë një ofertë bindëse për klubin spanjoll, pasi koha është kundër. Merkato në Itali mbyllet ditën e premte dhe klubi milanez ka pak kohë në dispozicion.