Një ndër lojtarët më të spikatur dhe më të rëndësishëm të Portos, është meksikani Hektor Herrera. Mesfushori, tashmë një lojtar i konfirmuar në mesin e fushës, është pikë kyçe për Porton dhe për kombëtaren e Meksikës. Prej gjashtë vitesh, aktivizohet në Portugali dhe eksperiencës së tij në vendin luzitan, duket se po i vjen fundi.
Në fund të këtij sezoni, 28-vjeçarit i përfundon kontrata me Porton dhe destinacionet e mundshme kanë nisur të shqyrtohen, me një sërë klubesh të interesuara për shërbimet e tij. Roma, Juventus, Inter, Napoli, apo dhe ekipe nga La Liga e Premier Ligë, janë vënë në radhë për të siguruar kartonin e Herrerës.
Gjithsesi, mesfushori duket se ka vetëm një dëshirë, që lidhet me Interin. Madje, mediat në Portugali shkruajnë se, meksikani ka refuzuar ofertën për rinovim nga Porto, ku do të përfitonte 6 milionë euro. Duket se lojtari është “i fiksuar” pas ekipit zikaltër dhe tani mbetet për t’u parë reagimi i Interit.