Nejmar është një prej atyre lojtarëve që ka shumë për të dhënë për futbollin. Edhe pse kohët e fundit nuk është diskutuar për ndonjë largim të brazilianit nga PSG, duket e vështirë që ta shohim dhe për shumë vite në Francë. Normalisht që sulmuesi vështirë se do ta pranojë nivelin jo dhe aq të lartë dhe mungesën e kundërshtarëve të denjët, ndaj nuk është çudi që ta shihnim në një prej ligave si Anglia, Italia apo dhe Spanja.
Rikthimi në Spanjë duket i vështirë, por jo i pamundur. Është ish-shoku i skuadrës Andres Iniesta, i cili ka folur për Nejmarin, duke theksuar se nuk do e habiste aspak nëse sulmuesi do të kalonte te Real Madrid, por po aq të vështirë e sheh rikthimin e brazilianit te Barça. Mesfushori spanjoll komentoi dhe largimin e Lopeteguit nga Reali, por dhe një rikthim të mundshëm te Barça.
NEJMAR – “Nuk do më bënte çudi nëse Nejmar do të shkonte te Real Madrid. Mendoj se është paksa e vështirë që ai të rikthehet te Barcelona. Katalanasit kanë një skuadër mjaft të mirë dhe ata çdo edicion janë pretendentë për të fituar çdo trofe të mundshëm. Nuk mund të them se Nejmar e ka derën e mbyllur te Barça, por mendoj se është paksa e vështirë që ta shohim diçka të tillë”.
LARGIMI I LOPETEGUIT – “Lopetegui e dinte se ku po shkonte kur firmoi me Realin. Klubi donte rezultate më të larta, kur në vitet e fundit ishin bërë shumë gjëra të mira. Nuk ishte e lehtë për të trajnuar aty, por kur nuk vijnë rezultatet në fund presidenti detyrohet që të marrë masa”.
BARCELONA – “Për shkak të ndryshimeve të orarit unë mund të ndjek vetëm ndeshjet që luhen në orën 16:15, por mundohem që të shoh se si shkojnë gjërat te Barça, përmes shokëve të mi. Kur ndodhi lëndimi i Mesit fola me Piken, Buskets dhe Rakitiç. Një rikthim në të ardhmen? Ndoshta në një pozicion drejtuesi. Ndoshta në të ardhmen mund të jem dhe trajneri i ekipit të parë”.