Ikardi, Zaneti, Spaleti dhe bamirësitë, Lautaro: Ju tregoj ëndrrën time!

Lautaro Martinez po tregon durim, qetësi dhe pjekuri. Sulmuesi argjentinas i Interit nuk po merr shumë minuta nga trajneri Spaleti, por kjo nuk e pengon të stërvitet fort çdo ditë dhe të presë momentin e tij.

21-vjeçari ka folur për “La Nacion”, duke e nisur me raportin fantastik që ka me Mauro Ikardin. Martinez ka një pasion tjetër përveç futbollit dhe provon kënaqësi të mëdha kur ndihmon njerëzit në nevojë.

Elozhet për Havier Zanetin nuk mungojnë, ndërsa ka sqaruar gjithçka me Luçiano Spaletin. Babai i lojtarit e akuzoi para disa kohësh trajnerin, por çdo gjë ka kaluar. Në fund ëndrra e madhe për të siguruar një vend në formacionin e Argjentinës dhe për të luajtur përkrah më të mirit në botë, Leo Mesit.

IKARDI – “Mauro më ka qëndruar afër që ditën e parë. Herën e parë që u takuam më tha: ‘Më telefono për çdo gjë, telefoni im qëndron gjithmonë hapur.’ Ai sillet kështu me të gjithë lojtarët e rinj, jo vetëm me mua që jam argjentinas si ai. Mauro është në dispozicion për të gjithë dhe sillet si kapiten i vërtetë. Raporti ynë ka qenë shumë i mirë që nga dita e parë, brenda dhe jashtë fushës së blertë. Ndonjëherë shohim bashkë ndeshjet e Racingut, pavarësisht se Mauro është tifoz me Newell’s Old Boys. Në të dy së bashku në fushë? Duhet durim dhe qetësi.”

ZANETI – “Dua të krijoj një fondacion që ndihmon personat në nevojë. Kur isha te Racingu kam marrë pjesë në shumë evente bamirësie, madje dhe në qytetin tim në Bahia Blanka. Tek Interi dërguam dhurata në spitalet e Milanos gjatë Krishtlindjeve. Është gjithmonë kënaqësi dhe emocionohem shumë sa herë ndihmoj njerëzit në nevojë. Në këtë aspekt po mësoj shumë nga Zaneti. Ai është historia e Interit dhe një legjendë e klubit. Më uroi mirëseardhjen që ditën e parë dhe çdo ditë më telefon për të më inkurajuar për t’u stërvitur fort dhe për të dhënë maksimumin për shokët e skuadrës, pavarësisht faktit nëse luaj apo jo. Ai më njeh mirë dhe sot ndodhem këtu dhe falë besimit të Zanetit.”

SPALETI – “Kam sqaruar gjithçka me trajnerin. Babai im ka gabuar me deklaratat e tij. Trajnerit i thashë që babai im ka qenë futbollist dhe e di se si ndihem në momentet kur nuk luaj. Gjithçka po shkon mirë, po stërvitem fort për të qenë gati dhe për të shfrytëzuar çdo mundësi që më jepet. Nuk ka menduar të largohem në janar, madje as klubi nuk më ka folur për diçka të tillë. Jam i përqendruar tek Interi, jam shumë i lumtur për mënyrën se si po më trajtojnë njerëzit që punojnë këtu.”

ËNDRRA – “Nuk ka qenë aspak e thjeshtë të largohem nga familja, por Racingu më ka ndihmuar për t’u rritur dhe për t’u pjekur. Nuk do rresht kurrë së falënderuari klubin e Racingut, aty ku kam lënë shumë kujtime të bukura. Jam ndjerë keq nga mos grumbullimi në Botërorin e Rusisë, por jam detyruar ta pranoj atë vendim. Tani po përpiqem të jap më të mirën time për të bindur Skalonin për të më grumbulluar për Kupën e Amerikës që zhvillohet në verë. Shpresoj që Mesi të rikthehet në kombëtare. Ai është futbollisti më i mirë në botë dhe një trashëgimi për Argjentinën. Ka qenë një ëndërr të ndaja dhomat e zhveshjes me të, njësoj siç më ka ndodhur me Militon te Racingu. Nuk e kam patur fatin të luaj me Leon në fushë, por ky është një nga objektivat e mi. Do të ishte diçka fantastike, nëse do të ndodhte.”

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *