Të dielën në mbrëmje Interi do të luajë një ndeshje delikate në Romë dhe Mauro Ikardi e sheh si një mundësi ideale për të përforcuar pozitat në vendet e para të renditjes, para se të mendojë për kualifikimin për në turin e ardhshëm në Champions League.
Në një intervistë për Corriere dello Sport, sulmuesi argjentinas ka folur për të tashmen dhe të ardhmen: “Portieri duhet të presë, mbrojtësi të mbrojë, mesfushori të krijojë lojë dhe sulmuesi duhet të shënojë golat”, e nis intervistën kapiteni zikaltër.
“Diskutohet së tepërmi për pjesëmarrjen time në lojë, që për shumë njerëz nuk është e mjaftueshme, por nuk më plas fare për ato që thonë kritikët. Njoh vetëm një mënyrë për të ndihmuar shokët dhe trajnerin dhe ajo është të çoj topin në rrjetë. Kam jetuar gjithnjë për golin, është misioni im. I kam bërë gjithnjë të qarta objektivat e mia. I pari ishte të luaja në Champions dhe e kemi arritur. I dyti është të fitoj diçka me këtë fanellë”.
Lidhja me Interin: “Rinovimi i kontratës? Kur të vijë momenti i duhur, do rinovojmë, ka kohë. Uanda e di mirë atë që bën, çfarë thotë dhe çfarë duan njerëzit prej saj. Di si të sillet në televizion dhe i njeh gazetarët, është dinake dhe nuk ka nevojë për kontroll. Besoj totalisht tek ajo, më njeh mirë dhe e di sa larg mund të shkojë me ato që bën dhe thotë. Interesimi i Juves? Kam dëgjuar diçka, por disa gjëra unë i marr vesh i fundit, sepse mendoj vetëm për punën time dhe nuk më interesojnë gjërat me të cilat merret Uanda. Pyesni atë dhe Auzilion për të ardhmen time, jam mirë këtu ku jam. Real Madridi? Nuk më duket momenti i duhur, duke parë rezultatet e tyre”.
Roli si kapiten: “Unë ulërij, ndonjëherë e ngre zërin edhe me shokët e skuadrës. Nuk më ka ndryshuar si njeri shiriti i kapitenit, unë i tillë jam. Flas shumë pak për veten, intervistat janë të rralla dhe gjërat e mia nuk i bëj publike. Hedh ndonjë foto në Instagram, nuk shtoj fjalë e deklarata”.
Interi i ri: “Jemi më të kompletuar se në të shkuarën, edhe pse lëshuam disa pikë në fillim. Po të luanim si Inter, do ishim më lart në aspektin e pikëve. Kur menduam se gjetëm rrugën e duhur, erdhi rrëzimi në Bergamo, ku kundërshtari u tregua më i zoti”.
Sfida e radhës: “Kundër Romës duhet të luajmë një ndeshje të mirë, sepse e dimë që po gabuam Juventusi do arratiset, edhe Napoli po ecën shumë mirë”.
Kombëtarja: “Nuk e kam menduar kurrë Italinë, jo se nuk kam respekt apo mirënjohje, por sepse ndihem thellësisht argjentinas, edhe pse kam ikur shumë i vogël nga Argjentina”.