Edhe pse mungonte Lautaro Martinez, Mauro Ikardi nuk u grumbullua për Inter-Lacio dhe ndoshta në fund trajneri Luçiano Spaleti është penduar, duke parë se humbi 1-0.
Ikardi ishte në tribunë, duke u kthyer në San Siro pas disa javësh ku nuk paraqitej fare, ndërkohë që në krah të tij nuk mungonte bashkëshortja-agjente Uanda Nara.
Para ndeshjes për çështjen Ikardi foli sërish administratori i deleguar Bepe Marota, i cili i ktheu përgjigje edhe avokatit të Ikardit Paolo Nikoleti, i cili dje tha se Interi nuk e kishte njoftuar që argjentinasi nuk do grumbullohej.
“Spaleti merr vendime në mënyrë të pavarur, nuk mund t’i thueht asgjë, sepse ka vepruar për të mirën e ekipit. Kthimi i Ikardit do të bëhet gradualisht, ka nisur tashmë, për të tjerat vendos Spaleti“, tha Marota, i cili i drejtoi një mesazh avokatit të sulmuesit: “E vlerësoj si profesionist, por nuk mund ta dijë ai listën e të grumbulluarve para të tjerëve, nuk jemi në fantafutboll këtu. Ka rregulla, nuk mund të bëjë kërkesa të tilla, pa asnjë logjikë“.