Mauro Ikardi ka qenë një çështje kohët e fundit tek ekipi i Interit, ku shpeshherë është përfolur për një largim të tij nga “San Siro”. Është përfshirë në këtë situatë agjentja e tij dhe njëkohësisht bashkëshortja e sulmuesit argjentinas, Uanda Nara. Ajo ka bërë polemika jo vetëm me drejtuesit e klubit, por edhe me gazetarët italianë, ndërkohë që tani ka një strategji mjaft të mirë për lojtarin zikaltër.
Nuk do të ketë asnjë ngutje për rinovimin e kontratës dhe në vazhdimësi do të vendoset e ardhmja e kapitenit zikaltër. Sipas gazetës italiane, “Corriere dello Sport”, 32-vjeçarja do të presë deri në mes të korrikut.
Kjo bëhet për të parë nëse drejtuesit e ekipit do të plotësojnë kërkesat që ajo do të vendosë karshi tyre. Klauzola e sulmuesit 25-vjeçar aktualisht kap shifrën e 110 milionë eurosh dhe agjentja e tij është e gatshme që ta çojë situatën deri në këtë pikë për t’i bërë sa më shumë presion ekipit nga Milano dhe për të përfituar sa më shumë.