Interi mori një sukses të vuajtur ndaj Udinezes, pavarësisht se në lojë ishte dominuese. Ndeshja u vendos nga i zakonshmi Mauro Ikardi, i cili shndërroi në gol një 11-metërsh në minutën e 75-të. Kapiteni zikaltër foli pas sfidës dhe u shpreh i lumtur për fitoren, por pranoi se zhgënjimi i eleminimit nga Championsi vazhdon të jetë në kokat e zikaltërve.
SFIDA – “Ne dhamë një sinjal pas ndeshjes së ditës së martë. Jemi të zhgënjyer për atë çfarë ndodhi, por duhet të ishim të përqendruar për Serinë A, pasi kemi ekipe përpara nesh që duhet t’i arrijmë”.
ELIMINIMI NGA CHAMPIONSI – “Mund ta harrojmë eleminimin nga Championsi dhe mënyra më e mirë e mundshme për këtë gjë është duke fituar ndeshjet e ardhshme deri në fund të vitit”.
PENALLTIA NË STIL “PANENKA” – “E gjuajta penalltinë në atë mënyrë, pasi kisha nevojë për t’i shkundur gjërat. Kam goditur penallti në të gjitha mënyrat dhe mendova se ishte në atë moment duhet të godisja në atë formë. Për sa kohë goli u shënua, kjo është ajo çfarë ka rëndësi për mua”.
RINOVIMI – “Gruaja ime flet me klubin, detyra ime është që të jap me të mirën në fushë. Ata do të më tregojnë mua kur është koha për të firmosur, kështu që nuk kam pse të shqetësohem për këtë pjesë”.