Administratori i klubit vlonjat përsërit kërkesën e tij parësore: Respekt fanellës, pastaj objektivi përcaktohet ndeshje pas ndeshjeje
Elton Nika
Në fundjavë starton kampionati dhe shorti ka rezervuar një sfidë të vështirë për Flamurtarin, që shkon të luajë në fushën e Skënderbeut. Kështu ndodhte edhe një vit më parë, kur vlonjatët e nisnin pikërisht në Korçë kampionatin dhe mundeshin 3-1 në javën e parë. E gjithë vëmendja e skuadrës së trajnerit Duro është e përqendruar te kjo përballje, pasi synohet një nisje e mbarë e garës. Administratori Sinan Idrizi i ka qëndruar shumë pranë skuadrës gjatë kësaj kohe. Për “Sport Ekspres” ai flet për përgatitjet që ka bërë skuadra, për merkaton, investimet e bëra, privatizimin dhe pritshmëritë në kampionat e kupë.
— Z.Idrizi, si e shikoni gjendjen e skuadrës tani, kur jemi në prag të kampionatit të ri?
– Gjendja e skuadrës është mjaft e mirë. Këtë e kam parë gjatë gjithë kohës dhe shpresojmë të kemi rezultate sa më të mira në kampionat. E kam parë në stërvitje skuadrën dhe kam vënë re se në grup ka harmoni. Kjo është shumë e rëndësishme, shumë pozitive dhe e vlerësoj maksimalisht.
– Një fazë përgatitore ndryshe këtë vit, por edhe rezultatet pritet të jenë ndryshe…
– Faza përgatitore ishte optimale. Kemi zhvilluar një fazë njëmujore jashtë vendit, në vende të quajtura alpine, për vetë faktin se temperaturat në Vlorë ishin të papërballueshme gjatë kësaj periudhe. Mendoj se është punuar maksimalisht dhe tani gjërat duhet t’i shohim në fushë. E kam thënë gjithmonë se çdo gjë e tregon fusha. Trajneri Duro kishte kërkuar që faza përgatitore të zhvillohej jashtë vendit dhe ne mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Kemi luajtur edhe disa ndeshje miqësore jashtë vendit.
– Ndërkohë, ka pasur shumë largime e afrime në skuadër. Sa ndikon ky fakt në ekip?
– Po kemi pasur afrime dhe largime në merkato. Dua të them vetëm se të gjithë lojtarët janë si vlonjatë për ne, si të shtëpisë. Ata ndihen më shumë se vlonjatë. Nuk është se nuk ka vlonjatë në ekip. Ka dhe e rëndësishme është që të jenë në fushë të tillë.
– Keni përcaktuar një objektiv konkret për skuadrën, pasi shpesh është thënë se nuk do të ketë presion, por mundësitë janë për Europën?
– Jo, nuk ka objektiv konkret. Objektivi është që lojtarët duhet të respektojnë fanellën, kjo është ajo që dua nga skuadra. Kupat e Europës? Janë një kënaqësi për çdo klub, por shpresoj të kemi rezultate më të mira se Kupat e Europës. Le t’ia lëmë kohës. Objektivi ynë do të jetë ndeshja e radhës dhe fanella.
— E nisni në Korçë, ndaj Skënderbeut. Si e parashikoni këtë transfertë?
– Skënderbeu është një skuadër që na ka bërë krenarë për pjesën e futbollit shqiptar gjatë kësaj vere dhe me pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League. Ky është një fakt. Por tashmë mua më intereson Flamurtari dhe shpresoj mbi të gjitha të bëjmë një ndeshje të mirë, për të marrë një rezultat pozitiv.
— Po investoni tashmë edhe në stadium?
– Eshtë ajo që e them gjithmonë. Duhet një infrastrukturë kampione për një skuadër kampione. Stadiumi “Flamurtari” është i vetmi që nuk ka një orë elektronike, një pjesë e tribunës C apo përballë ka rënë, është në gjendje të mjerueshme dhe pa vënë dorë prej 60 vitesh. Ne do të vendosim orën elektronike, por, nëse flasim për investime, duhet edhe privatizimi i klubit.