Administratori i Flamurtarit është i kënaqur me paraqitjet e kuqezinjve, ndërkohë komenton edhe arbitrimin. “Penalltitë kundër? E çuditshme!”
Elton Nika
Flamurtari ka marrë vetëm një pikë në transfertën e luajtur në Shkodër, një rezultat që në nisje të takimit nuk mund të quhej aspak i keq. Nisur nga fakti që vlonjatët ishin në avantazh, si dhe nga 11-metërshi i akorduar kundër, apo edhe gjykimi i kontestuar, në Vlorë mendojnë se skuadra meritonte tre pikët ndaj Vllaznisë. Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e cilëson si mjaft pozitive paraqitjen e skuadrës, jo vetëm ndaj Vllaznisë, por edhe gjatë gjithë pesë javëve të para të kampionatit. Ndërkohë ai ka diçka edhe për gjykimin, si dhe çështjet që aktualisht kanë mbetur pezull. “Nuk dëshiroj të ndalem apo të komentoj gjatë gjykimin e ndeshjes, por nëse gjykimi apo penalltia e dhënë ishte tendencioze, atëherë kjo nuk është burrëri. Në fakt është pak e çuditshme që Flamurtari në këto pesë javë nuk ka marrë asnjë penallti në favor, edhe pse na kanë takuar, duke ju referuar edhe rastit në Shkodër. Por jemi ndëshkuar, në pesë javë janë dhënë tre të tilla kundër Flamurtarit, madje në raste tejet të diskutueshme. Kjo është shumë e çuditshme. Nuk kam komentuar ndaj tyre ndonjëherë, por nëse kemi të bëjmë me sjellje tendencioze në Shkodër, atëherë e ripërsëris se kjo nuk është burrëri”, tha Idrizi fillimisht, ndërsa më pas foli edhe për paraqitjen e skuadrës së tij. “Jam mjaft i kënaqur, jo vetëm në ndeshjen e fundit në Shkodër, por edhe gjatë gjithë këtyre javëve të kampionatit. Një skuadër me karakter dhe lojtarë që respektojnë fanellën në fushën e lojës, kjo është shumë më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, madje edhe se rezultati i arritur. Dua të theksoj se kjo skuadër ka zhvilluar një paraqitje shumë të mirë edhe në ndeshjen e fundit dhe të gjithë besojmë maksimalisht te lojtarët, stafi dhe tek e gjithë skuadra. Gjithsesi duhet vetëm të shohim përpara dhe ashtu si edhe kemi thënë që prej fillimit të kampionatit, e rëndësishme mbetet vetëm ndeshja e radhës. Nëse vijohet në këtë rrugë, padyshim që Flamurtari ka për të ecur përpara. Ndeshja në Shkodër ishte mjaft e mirë nga skuadra, por unë kam parë një skuadër të tillë edhe në ndeshjet e tjera të luajtura deri më tani”, u shpreh kreu i klubit vlonjat, ndërsa në fund theksoi se do ta vijojë betejën e tij ligjore me FSHF-në dhe ish-trajneri Gjoka. “Do të vijoj rrugën time ligjore me FSHF-në dhe këtë e kam thënë disa herë, s’kam çfarë të shtoj më shumë”, ka përfunduar Sinan Idrizi deklaratën e tij.