Idrizaj: Nuk na interesojnë problemet e të tjerëve, presim kthesën

Kamza mori një pikë me shumë vlerë në ndeshjen me Laçin. Skuadra e Ernest Gjokës mori një pikë oksigjeni, edhe pse tani ekipi nga periferia e kryeqytetit e sheh veten në vendin e fundit. Kamza ka një takim akoma dhe më të rëndësishëm këtë javë, pasi do të përballet me Luftëtarin. Një sfidë direkte për mbijetesë, pasi gjirokastritët kanë 4 pikë më shumë se ekipi kamzali.

Hektor Idrizaj beson te suksesi në takimin e radhës, duke marrë si shtysë rezultatin e fundit pozitiv. Mbrojtësi tregoi për “Supersport” se ekipi e ka forcën për të arritur pretendimet që skuadra kishte në fillim të sezonit, edhe pse është i sinqertë se gjërat nuk kanë shkuar sipas planeve.

PIKA NË LAÇ – “Kemi marrë një pikë morali, pavarësisht se në klasifikim jemi në vendin e fundit. ne shohim vetëm veten tonë, ecurinë tonë dhe nuk kemi punë me skuadrat e tjera. Nuk është se është domethënëse ajo, duke marrë në konsideratë pikën e marrë në Laç”.

NDESHJA E RADHËS – “Është një ndeshje që është vlerësuar maksimalisht si nga stafi dhe nga lojtarët. Është trepikëshi i kthesës. Duhet të japim 100% dhe nuk na interesojnë se çfarë problemesh kanë ekipet si nga ana financiare, apo brenda grupit, pasi në fund të funti, futbolli është futboll. Ne duhet të japim më të mirën tonë dhe të shohim vetëm veten tonë e të kërkojmë tre pikët”.

KTHESA – “Jemi shumë prapa nga pritshmëritë e fillimit të sezonit. Siç dihet grupi është i plotë dhe nuk ishin këto pritshmëritë për këtë ekip, por futbolli ky është. Ne kemi rënë dhe ne do të ngrihemi, ne jemi këtu, ne e kemi sjellë ekipin në këtë situatë dhe është detyrim moral që ta çojmë aty ku i takon apo ku ne mendojmë se na takon”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *