Milani nuk po kalon një moment të mirë, pasi dëmtimet e shumta, por edhe humbja ndaj Juventusit në fundjavë e kanë prishur humorin në ambientin kuqezi. Në ndeshjet e fundit, numri një i pankinës kuqezi, Gatuzo, ka luajtur me modulin 4-4-2, duke i besuar një vend titullari dhe Patrik Kutrones.
Gjithsesi, kuqezinjtë kanë në ekip, vetëm dy sulmues dhe në rast aktivizimi të të dyve, në stol nuk do të ketë rezerva. Për këtë arsye, blerja e një sulmuesi në merkato është e domosdoshme dhe kontaktet kanë nisur prej kohësh. Si zgjedhje e parë mendohet të jetë Zllatan Ibrahimoviç.
Suedezi, që dikur ka qenë pjesë e Milanit, ka përfunduar sezonin e tij me Los Anxhelos Galaksi dhe mund të transferohet në “San Siro” në janar. Momentalisht 37-vjeçari përfiton 1.3 milionë euro nga kontrata e tij me klubin amerikan, por ka shumë përfitime nga sponsorët.
Në Itali, thuhet se Ibrahimoviç do të përfitojë 4 milionë euro nga Milani, por palët çalojnë vetëm në një pjesë. Gjiganti suedez kërkon një kontratë 18-mujore, pra një sezon e gjysmë, ndërsa kuqezinjtë janë të gatshëm t’i ofrojnë një kontratë 6-mujore, por me një opsion rinovimi për sezonin e ardhshëm. Palët janë ende në diskutim, por transferimi i sudezit, duket shumë i mundshëm.