Zllatan Ibrahimoviç është aktualisht pjesë e Los Anxhelos Galaksi, ku u transferua pas aventurës së tij në Angli te Mançester Junajtid. Suedezi ka bërë një sezon të kënaqshëm, pavarësisht se ekipi i tij nuk arriti të bëhej pjesë e fazës “play-off”. 37-vjeçari ka shënuar 22 gola dhe 10 asist në 27 sfida të luajtura me fanellën e amerikanëve.
Gjithsesi, sezoni tashmë është mbyllur dhe spekulimet e fundit bëjnë fjalë, që Ibra do të transferohet në Evropë në merkaton e janarit. Një rikthim i mundshëm i tij te Milani është përfolur shumë, por jo vetëm. Në një intervistë të fundit, të dhënë për uebsajtin zyrtar të klubit të Los Anxhelos Galaksi, Ibrahomoviç zbulon që prioriteti i tij është klubi amerikan, pavarësisht interesimit nga Evropa.
“Klubi i njeh të gjitha dëshirat e mia, të gjitha kërkesat e mia. Ata janë shumë pozitivë dhe kanë qenë shumë të mirë me mua. Më kanë ndihmuar mua dhe familjen time me gjithçka që kam nevojë. Kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë. Le të themi se nuk jam i shqetësuar. Nuk është sekret, ka interes nga Evropa, por prioriteti im është Galaxy. Jam këtu dhe jam i lumtur që jam këtu”.
Ndërkohë presidenti i Los Anxhelos Galaksi gjithashtu ka folur mbi këtë situatë duke thënë: “Ne po bisedojmë. Prioriteti ynë si klub është për ta mbajtur atë këtu. Jemi vetëm në bisedat fillestare, sezoni sapo është mbyllur. Do të vazhdojmë të kemi bisedime dhe shpresoj të bëhet zgjidhja më e mirë si për klubin ashtu dhe për Zllatanin”.