Pasi komentoi derbin e Milanos, Zllatan Ibrahimoviç ka folur për tema të tjera në prononcimin e radhës. 37-vjeçari i Los Anxhelos Galaksi është një fans i basketbollistit LeBron Xhejms, i cili është transferuar këtë sezon te ekipi i Lejkërs në të njëjtin qytet me Ibrën.
Ibrahimoviç i dhuroi një mikpritje mbretërore yllit të basketbollit në korrik, duke komentuar në rrjetet sociale: “Tani ka një zot dhe një mbret.”
“Ka shumë mbretër, por vetëm një zot. Njerëzit e Los Anxhelos janë falënderues dhe mirënjohës, vlerësojnë çdo gjë që bëj dhe janë të lumtur të më shohin duke luajtur. Ata më bëjnë të lumtur dhe thonë që unë jam gjëja më e bukur që i ka ndodhur qytetit, që nga koha e tërheqjes së Kobi Brajant nga basketbolli. Kjo gjë më bën shumë krenar”, tregon sulmuesi suedez për “Sky Sport.”
Fjalët e merkatos e lidhin me një rikthim në Europë në merkaton e janarit, por Ibra nuk dëshiron të nxitohet. “Mendoj se jam në një situatë, ku duhet të kem një ekuilibër të mirë midis punës dhe pushimit, sepse vi nga dëmtimi i pësuar, por dhe për shkak të moshës time. Nuk po mendoj për të ardhmen, kemi dhe dy ndeshje për të luajtur dhe shpresoj të arrijmë në fazën e ‘play-of’.”
Ndeshja e radhës është në transfertë kundër Minesota Junajtid dhe Ibra fton tifozët të mbështesin ekipin në këtë ndeshje. “I detyrohem tifozëve, shpresoj të vijnë në stadium, sepse ata nuk do të vijnë për Minesotën, por për mua.”
Suedezi komenton dhe mundësinë e një karriere si trajner në të ardhmen. Diçka e vështirë për të ndodhur dhe Ibra e sqaron në këtë mënyrë. “Nuk e di nëse mund të shpenzoj aq shumë kohë duke stërvitur, sepse është shumë stresuese. Nuk është njësoj kur je futbollist, sepse ke një impakt ndryshe kur je lojtar. Kur je trajner, je i varur nga lojtarët dhe, nëse ata nuk luajnë mirë, ti nuk je në gjendje për të zbritur në fushë dhe të bësh diferencën. Nuk është aspak e thjeshtë”, përfundon Zllatan Ibrahimoviç.