I “çmenduri” Ferrero: Ndeshjet luhen, jetët nuk kthehen!

Situata në qytetin e Xhenovës është e rëndë. Rrëzimi i urës ka sjellë të vdekur dhe në këtë situatë nuk mund të flitet për futboll. Sampdoria pret Fiorentinën të dielën, në kuadër të javës së parë të Serisë A, por presidenti i Sampdorias as që ka ndërmend të zbresë ekipin në fushë. Masimo Ferrero kërkon shtyrjen e ndeshjes. Sampdoria dhe Xhenoa nuk do të luajnë, rrjedhimisht i duhet të mos zbresin në fushë as kundërshtarët e tyre: Fiorentina dhe Milan. Apelit të Ferreros i është bashkuar dhe klubi i Juventusit.

“Ne dhe Xhenoa nuk do të luajmë, kështu që i bie të mos luajnë as Fiorentina dhe Milan. Kërkesës tonë i është bashkuar dhe Juventus. Kam vënë në dijeni dhe presidentin e Ligës, i cili po vlerëson situatën dhe jam i sigurtë që do të mirëpresë apelin tim, sepse është një person me vlera.

Nuk kam kurajon të mendoj që të festoj në një moment si ky. Ka ende njerëz nën rrënoja dhe nuk e mendoj që të zbres djemtë e mi në fushë. Ndeshjet rikuperohen, ndërsa jetët, jo. Sporti është kulturë, është jetë dhe duhet të ndalemi për një moment që të reflektojmë. Në shtëpinë time, ai që komandon jam unë. Të dielën mund të sjellim një mesazh të vazhdimësisë së jetës.

Sa më përket mua, e sigurtë që nuk do të luajmë. Jam një njeri i veprave dhe jo i fjalëve. Të presim dhe të shohim, sepse në këtë moment mbizotëron emocioni dhe dekurajimi dhe është e vështirë të riorganizojmë idetë. Qytetarët e Xhenovës janë burra kurajozë dhe gra të mrekullueshme, Forca Xhenova. U bëj thirrje të gjithë tifozëve të Sampdorias dhe gjithë qytetit që të reagojnë pozitivisht. Duhet të ringrihemi!”, përfundon numri një i Sampdorias.

Për situatën në fjalë ka reaguar dhe klubi i Fiorentinës. “Përballë tragjedive si ajo në Xhenova, çdo gjë kalon në plan të dytë. Do të ishte e përshtatshme që në këtë moment edhe bota e futbollit të ndalonte dhe të reflektonte e respektonte heshtjen e zisë që ka goditur shumë familje. Futbolli është pasion dhe argëtim, por ky është një moment dhimbjeje dhe të gjithë duhet të ndalojmë dhe të jemi përkrah Xhenovës dhe viktimave të saj”, përfundon deklarata e klubit “Viola”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *