Presidenti i Steauas së Bukureshtit, Xhixhi Bekali, është një ndër personazhet më të përfolur në Rumani dhe jo vetëm, teksa shpeshherë, jep deklarata të pazakonta. Diçka e tillë, ka ndodhur përsëri, ku rumuni ka folur për mediat vendase duke shprehur hapur kundërshtimin e tij në lidhje me përfshirjen e femrave në futboll.
“Bosi” i Steauas ka deklaruar se në rast se UEFA i detyron klubet që të kenë me patjetër një ekip femrash, do ta lërë futbollin përfundimisht, pasi kjo gjë është krejtësisht kundër ligjeve të natyrës sipas tij. Gjithashtu 60-vjeçari nuk është mjaftuar me kaq, ku ka shtuar se ky fenomen është përmbushja e vullnetit të satanit (djallit) kundër Perëndisë.
“Nëse UEFA do të detyrojë të gjitha klubet që të kenë një ekip femrash, unë do e lë botën e futbollit. Femrat mund të luajnë sporte të tilla si basketboll apo hendboll, por kurrsesi futboll. Nuk janë krijuar për të luajtur një sport të tillë, pasi nuk kanë fizik të përshtatshëm, është diçka kundër ligjeve të natyrës. Si të gjithë njerëzit e kësaj bote edhe unë kam kryer mëkate në jetën time, por kurrë nuk do të zbatoj vullnetin e satanit kundër Perëndisë.”