Elseid Hysaj ka komentuar për mediat italiane menjëherë pas humbjes që skuadra e tij pësoi me Sampdorian. Mbrojtësi kuqezi ka theksuar se skuadra gaboi në pjesën e parë dhe kundërshtari i shfrytëzoi maksimalisht ato mundësi që pati.
Po ashtu shkodrani synon që të evitojë presionin, duke vënë në dukje faktin se në repartin e tërhequr gjithçka është si një vit më parë, por ekipi po punon shumë që të përmirësohet akoma dhe më shumë.
“Në pjesën e parë bëmë një ndeshje shumë të dobët dhe bëmë shumë gabime dhe kundërshtari i shfrytëzoi ato momente. Ne duhet të ishim më agresiv dhe më mirë të vendosur në fushë. Nuk duhet harruar që jemi vetëm në javët e para dhe kemi një trajner të ri”.
“Jo vetëm ne, por dhe skuadrat e tjera kanë shfaqur probleme. A kemi probleme në mbrojtje? Jo, nuk mund ta them këtë. Ne kemi të njëjtën vijë mbrojte si edicionin e shkuar. Ne duhet të gjejmë menjëherë se ku po gabojmë dhe të përmirësohemi menjëherë. Synimi ynë është që të fitojmë çdo ndeshje”.