Stavri Nica është nga ata që flet drejtpërdrejtë. Pas humbjes me Partizanin, ai nuk e kurseu portierin Klajdi Kuka pas golit të parë që pësoi ndaj të kuqve. Pavarësisht rasteve të shumta për gol, durrsaku thekson se nuk bënë një takim të mrekullueshëm.
“Nuk mund t’i them takim i mrekullueshëm, pasi i tillë është kur fiton. Megjithatë ne na ndëshkuan dy gabime shumë, shumë të rënda. Portieri bashkë me qendërmbrojtësi, me një gabim amatoresk e futën e ekipin në agoni. U përpoqëm të ekuilibroheshim, luftuan shumë djemtë dhe sakrifikuan shumë fizikisht. Mendoj se skuadra do akoma ekuilibër, do përforcime në çdo repart që të krijojmë një ekip më kompetitiv”, u shpreh Nica fillimisht për mediat.
Më tej ai shtoi: “Humbja vjen nga gabime shumë të rënda. Portieri e ndëshkoi shumë rëndë skuadrën me golin e parë. E thashë që e futi në agoni, na krijoi shumë probleme. Kur vijnë golat për meritë të kundërshtarit, atëherë je më në ekuilibër dhe e di se çfarë bën. Ndërsa këto raste shoh që e ndëshkojnë shumë Kastriotin”.