Ishte dita e 14-të e qershorit të vitit 2007. Ndoshta do të mbahet mend si dita më e lumtur e jetës për Mamadu Sakon. Në atë ditë, ishte vetëm 17 vjeç dhe firmosi kontratën e tij të parë si futbollist profesionist me ekipin e PSG.
Që nga ajo kohë, Sako kaloi plot gjashtë vite tek parizienët, me ulje dhe ngritje, ku në vitin 2010 ishte dhe pjesë e rëndësishme e kombëtares franceze. Pas Parisit erdhi një pikë tjetër në karrierën e qendërmbrojtësit, ku u transferua te gjigantët anglezë të Liverpul. Eksperienca në “Anfield” nuk shkoi ashtu siç duhet, pasi në katër sezone arriti të luante diçka më pak se 80 ndeshje, kushtëzuar dhe nga dëmtimet. Sezoni i kaluar ishte një pikë kthese për francezin, teksa duket se rilindi në radhët e Kristal Palas, të cilët pas huazimit e blenë këtë verë për shumën e 26 milionë sterlinave.
Gjithsesi, përtej jetës si futbollist profesionist, Sako nuk ka gëzuar gjithmonë një jetesë si kjo e sotmja. Mbrojtësi 28-vjeçar ka zbuluar historinë e jetës së tij, ku edhe pse mes vështirësive të panumërta ka mundur të bëhet njeriu që është sot. Sako ka në familjen e tij shtatë vëllezër e motra dhe në moshën 13-vjeçare ka humbur babain e tij. Mbrojtësi ka shpjeguar se dikur ai është detyruar të dalë të si lypës në rrugët e Parisit dhe të qëndrojë për shumë net pa gjumë.
“Kam pasur një jetë mjaft të vështirë kur isha i ri, por këto momente të vështira më ndihmuan të rritem dhe të jem njeriu që jam sot. Askush nuk mund të më thotë se nuk e di se si është të qëndrosh pa ngrënë ose askush nuk mund të më tregojë se si është të qëndrosh në të ftohtë, të flesh jashtë ose të lypësh disa monedha ose të vjedh vetëm për të ngrënë pas shumë ditësh, sepse e tillë ishte jeta ime kur isha i ri. Ishte jeta ime reale. Kjo gjë ndihmoi të kisha një mentalitet të fortë. Kjo është arsyeja pse unë gjithmonë i them vetes, që nuk duhet të dorëzohem”, përfundoi 28-vjeçari.
Një rrëfim mjaft rrëqethës nga ana e Mamadu Sako, i cili nisi të luante futboll në vitin 1996, ku u bashkua me ekipin lokal të Paris FC. Gjashtë vite më vonë, vetëm në moshën 12-vjeçare u bashkua me moshat e ekipit kryesor të kryeqytetit PSG. Më pas, historia dihet si vijoi, “djaloshi” Sako në vitin 2007 firmosi kontratën e parë profesioniste dhe makthi ia la vendin përrallës së bukur.