Charles Oliveira është kampioni më i ri i peshave të lehta (Lightweight), pasi mposhti me KO Michael Chandler. 31 vjeçari u gjet në një situatë mjaft të vështirë në raundin e parë, kur u rrëzua në tokë nga kundërshtari. Në raundin e dytë në vetëm pak sekonda, Oliveira gjendet me titullin në brez.
Rrugëtimi i Charles Oliveira në UFC ëzhtë aq sa frymëzues aq edhe i dhimbshëm. Ndryshe nga kundërshtari i tij që iu nevojit vetëm një ndeshje për të luftuar për titull, braziliani e mori këtë mundësi vetëm pas 28 ndeshjesh, më shumë se 12 vjet.
Por nuk mjafton me kaq. Në intervistën pas ndeshjes me gazetarin e UFC, Joe Rogan, Charles ia dedikoi këtë fitore “favellave” të Brazilit, ose siç quhen ndryshe lagjet në varfëri ekstreme. Në momentin që filloi karrierën si luftëtar i MMA, braziliani u zotua se do të bënte gjithçka për banorët e lagjes. Edhe pse tashmë jeta e tij ka ndryshuar plotësisht, ai e viziton shpesh këtë zonë dhe dhuron para për bamirësi vazhdimisht.
Rasti i Charles Oliveira është një shembull i pastër i shprehjes “Asnjëhere mos u dorëzo”, pasi nga një familje që nuk siguronte dot bukën e gojës, u shndërrua në personin më te rëndësishëm të UFC, duke zënë kështu dhe vendin e Khabib Nurmagomedov, i cili pak kohë më hoqi dorë nga titulli. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/