Higuain drejt Londrës, Milani ka formulën e goditjes së merkatos

Milani duhet t’i bëjë llogaritë pa Gonzalo Higuain në të ardhmen. Sulmuesi argjentinas ka bërë gati valixhet për t’u transferuar në Londër, aty ku e pret Sarri. Çelsi ndërkohë po tenton arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Juventusin.

Kuqezinjtë do të kursejnë 9 milionë euro vetëm nga paga e sulmuesit, ndërkohë që nuk do të paguhet po aq te Juventusi për huazimin në pjesën e dytë të këtij sezoni. Kështu për Leonardon janë mënjanë 18 milionë euro të kursyera me argjentinasin dhe tanimë duhet të mbyllë marrëveshjen për pasuesin e tij.

Kristof Piatek është sulmuesi që pritet të marrë rrugën për në Milano dhe sipas Gazetta dello Sport ai u ka thënë “po” kuqezinjve. Lojtari i Xhenoas vlerësohet nga Milani me shumën e 40 milionë eurove, ndërkohë që për t’u përcaktuar mbetet formula e pagesës së lojtarit.

Ndoshta do të veprohet si me Higuain, duke paguar një shifër të konsiderueshme për huazimin. Nga ana e Xhenoas gjithashtu ka interes për të arritur në një marrëveshje. Sa i takon kontratës së Piatek, me menaxherin e tij është biseduar për një kontratë 5-vjeçare.

Aktualisht sulmuesi përfiton vetëm 400 mijë euro te Xhenoa, ndërkohë që te Milani do të marrë fillimisht 1.8 milionë euro, për t’u rritur më pas në 2 milionë. Nesër pritet një takim me kuqeblutë, që pritet të vendosin për të ardhmen e “xhevahirit” të tyre, emri i të cili është lidhur edhe me klube të tjerë evropiane.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *