Paolo Maldini është një legjendë e gjallë dhe simbol i Milanit. Ish-kapiteni i mijëra betejave dhe shumë mbrëmjeve magjike ka prekur disa tema gjatë prononcimit të tij për “Sportmediaset.com”. Aktualisht në rolin e drejtorit të zhvillimit strategjik të sektorit sportiv të kuqezinjve, Maldini e nis me një koment për hetimin e ri të nisur nga UEFA për klubin italian. Ai jep shpjegimin e duhur, ndalet te situata e trajnerit Gatuzo dhe komenton ndeshjen kundër Lacios në kampionat.
Dueli i së shtunës përballë ekipit të Inzagit do të jetë një finale për objektivin Champions. Më pas Bakajoko. Mesfushori i ka surprizuar të gjithë dhe Milani është gati të paguajë 35 milionë euro për kartonin e tij. Në fund roli si drejtues dhe numri tre. Dinastia Maldini nuk shuhet kurrë. Paolo flet për numrin e tërhequr nga Milani dhe ka një dëshirë për dy djemtë e tij.
UEFA– “Komunikata nuk është një surprizë, kemi një dialog të përjavshëm me UEFA-n. Po diskutohet për vitet përpara se të vinte fondi Elliot në krye të klubit. Edhe sezonin e kaluar duhet të përjashtoheshim nga kupat europiane, por më pas ndërhyri TAS-i. Kemi shumë armë në dispozicion dhe jemi gati për gjithçka. Ne si klub kërkojmë që të mos ketë një përballje të ashpër dhe pa dialog. FPF (fair-play financiar) ka zeruar borxhet në futbollin europian, por të mos i lejosh një klubi të shëndoshë dhe pa borxhe ndërhyrjen në merkato është jo kushtetuese. UEFA e ka kuptuar se Milani është një klub i shëndetshëm, me njerëz kompetentë dhe që dëshiron të rikthehet në nivele të larta.”
TRAJNERI – “Jemi të kënaqur me Gatuzon. Rino nuk ka qenë kurrë në dyshim. Jemi të bindur se është trajneri i duhur dhe nuk na ka shkuar kurrë ndërmend për ta shkarkuar. Kemi një raport shumë direkt me të, ashtu si me gjithë lojtarët. Trajneri di gjithçka, di mendimin tonë për të dhe punën e tij. Ai ka edhe dy vite kontratë me ne. Në fillim të sezonit nuk i është vënë kusht kualifikimi në Champions, ndërsa tani jemi afër. Unë dhe Leonardo e përsërisim shpesh që sa bukur do të ishte të ktheheshim te fitimi i trofeve me Rinon në pankinë.”
LACIO – “Ata janë në formë, kanë kualitete në ekip dhe, ashtu si ne, luajnë shansin e tyre për t’u kualifikuar në Champions. Këtë sezon kemi patur shumë ulje-ngritje dhe kemi hasur probleme me ekipet që na ndjekin. Ndeshja me Juven na dha shumë siguri. Jemi mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Kemi marrë vetëm një pikë në katër ndeshjet e fundit dhe tani duam të rikthehemi te rezultatet pozitive.”
BAKAJOKO – “Ai ka treguar një karakter të madh. Nuk e nisi mirë dhe i duhej të përshtatej në një realitet ndryshe. Jemi super të kënaqur me të dhe do provojmë ta blejmë, por gjithçka do të varet nga FPF dhe renditja jonë në kampionat. Kualifikimi në Champions do të ndikojë në merkato dhe entuziazmin e grupit të lojtarëve. Do të ishte diçka e shpifur nëse nuk arrijmë për të shtatin vit rresht që të mos marrim pjesë në kompeticionin e më të fortëve.”
JETA E RE SI DREJTUES – “Telefonata e Leonardos ishte një fat për mua. Ai ka patur eksperienca të rëndësishme si drejtues. Për mua është thelbësore të kem në krah një person, i cili i njeh në perfeksion strukturat e një klubi. Numri 3 te një nga djemtë e mi? Do të ishte diçka shumë e bukur. Do të thoshte se ata e kanë realizuar ëndrrën e tyre për t’u bërë futbollistë. Nuk jam i sigurt nëse do të zgjidhnin numrin 3… Shpresoj vetëm që të jenë të lumtur.”