Kapiteni i Skënderbeut: E mora vetë penalltinë e parë, para Muzakës, për t’i dhënë besim ekipit. Kisha pengun e Çernomoretlcit dhe tani e hoqa
Ishte ai “heroi”, edhe pse merita është e të gjithëve dhe vetë portieri durrsak tregohet modest në fjalët e tij. Tani të gjithë i kërkojnë të vazhdojë të luajë, por ai ende nuk ka thënë “po”.
“E kam thënë disa herë dhe më vjen çudi pse u bë legjendë largimi im nga futbolli. Jam përsëri i atij mendimi, por presidenti Takaj më thirri dhe më bindi të luaja edhe në Kupat e Europës. Jam stërvitur seriozisht, pavarësisht se isha me mendje për ta lënë futbollin. Jam stërvitur maksimalisht, por nuk ka mënyrë më të bukur për ta lënë futbollin, kur ka dhe paraqitje të mira.
“Të gëzojmë sot (dje), pasi kemi arritur një kualifikim historik dhe më pas të shohim shortin. Të jem i sinqertë, nuk e kishim menduar se do të shkonim te penalltië. Nga eksperienca ime e gjatë, e dija si goditen penalltitë. Ishte një plus përvoja që kisha. Ishte një kualifikim, që e doja me ço kusht. Para katër vitesh, me Çernomoretsin, prita dy penallti, por nuk prita dot atë vendimtare. Jam i lumtur që ia dola këtë radhë dhe u kualifikuam.
“Penalltia e parë ishte e rëndësishme. Donte ta gjuante Muzaka, por e mora unë për t’i dhënë skuadrës pak besim dhe ia dola.
“Kisha vendosur, nëse do të ishte ndeshja e fundit, të ruaj fanellën dhe dorezat. Fanellën e dhurova, shiritin e kapitenit ma mori Shakohoxha.
“Uroj të kemi një short sa më të mirë dhe të ecim përpara, sepse ky Skënderbeu e meriton”, – tha njeriu i ndeshjes, portieri Orges Shehi, i cili ka marrë shumë mesazhe urimi pas kualifikimit. Një të veçantë e ka marrë nga ish-zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili i është drejtuar me fjalët: “Je i madh, kampion”.