“Heroi i heshtur” Esat Mala, njeriu që bëri derbin të shpërthente

0

Në fund të vitit 2017, Partizani vendosi se ishte koha të ndryshonte kurs. Shumë senatorë u larguan dhe klubi nisi të investonte te të rinjtë. Një prej tyre ishte Esat Mala, djaloshi i lindur në Prizren. Një mesfushor qendre, i cili mund të luajë edhe në krah. Ndoshta dhurata më e mirë e fundvitit.

Vetëm 19-vjeçar, erdhi në majë të gishtave. Pa zhurmën e blerjeve të mëdha. Asnjë vëmendje speciale apo prezantim bombastik, për lojtarin e radhës që po i bashkohej skuadrës. Impakti nuk ishte ai i afrimit të Bruno Telushit, pak ditë përpara tij. Mala u cilësua thjesht një i ri i perspektivës. E mendonin të gjithë…

Të gjithë përveç atij! Lojtarit trupvogël, por me zemër të madhe në fushë. Erdhi pa zhurmë, por bëri menjëherë që prezenca e tij të ndihej. Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, i luajti të gjitha ndeshjet, ku në 13 raste e nisi si titullar. Te Partizani i kuptuan menjëherë cilësitë që zotëronte dhe i besuan.

Esat Mala i’a shpërbleu me lojë dhe tashmë me golin e fitores në derbin ndaj Tiranës. Ishte goli i tij i parë me të kuqtë. Të realizosh në një ndeshje kaq të rëndësishme për klubin dhe tifozët është thjesht një ëndërr. Një gjurmë, e cila mbetet në memorien e të gjithëve.

CV-ja është e rëndësishme për një djalosh të moshës së tij, ku kaloi nga Shkëndija e Tiranës te ekipi i të rinjve të Hajdukut. Më pas, gjashtë muaj me Ballkanin e Therandës në Kosovë dhe prej aty, transferimi te Partizani. Vendi ku Mala u kthye në një prej lojtarëve më të rëndësishëm, të një prej klubeve më të mëdhenj të Shqipërisë. Tashmë një kandidat serioz për ekipin Shpresa, me ëndrrën në sirtar për të luajtur me Kombëtaren A.

Djaloshi pas pak javësh do të festojë 20-vjetorin e lindjes i ka fituar prej kohësh zemrat e tifozëve. Këtë e ka bërë me lojën, kualitetin dhe sakrificën në fushë. Tani bëri edhe më tepër, duke u shndërruar në heroin e derbit. Është ende i ri, nuk ka mbushur ende një vit kalendarik te Partizani, megjithatë e di shumë mirë se çfarë do të thotë ajo skuadër dhe ajo fanellë. Esat Mala është idhulli i ri i tifozerisë së kuqe.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.