Mançester Junajtid pret sonte në orën 21:00 në “Old Trafford” Barcelonën e Leo Mesit. Pavarësisht inferioritetit të anglezëve, ka shumë njerëz që kanë besim te Solskjaer dhe djemtë e tij. Një nga ata është legjenda e Çelsit, Didier Drogba.
Kampioni nga Bregu i Fildishtë, bashkë me shokët e tij, bëri mrekullinë në Champions në vitin 2012 duke ngritur kupën me veshë të gjata. Një surprizë e madhe kjo, pasi Çelsi po kalonte një sezon shumë zhgënjyes, duke shkarkuar trajnerin Vijash Boash dhe vënë në stol ndihmësin e tij, italianin Di Mateo.
Ishte pikërisht ai që me taktikën e “autobusit” të parkuar para porte i dha londinezëve Championsin e parë në histori. Pikërisht këtë situatë po kalon Junajtid, që shkarkoi Murinjon dhe solli në stol Ole Gunar Solskjaer. Për këtë “ish”-i i Çelsit mendon se mund të ndodhë një histori e ngjashme me atë të 2012-ës.
“Kujt i shkonte mëndja që ne do të fitonim Champions-in atëherë? Askujt, madje as mua. Ndoshta Solskjaer dhe Junajtid mund ta përsërisin këtë. Në ndeshjen ndaj PSG pashë që mund të kemi besim tek ata. Ata kanë një frymë të mirë ekipi dhe një trajner që e di sesi fitohet aty”.
“Solskjaer e njeh atmosferën brenda klubit dhe di gjithçka ndodh. Kjo e tij është një situatë e njëjtë me Di Mateon. Nuk dua të shkoj shumë larg, por te Junajtid shoh pak nga Çelsi i vitit 2012. Askush nuk e priste që ne të fitonim, ashtu si me “djajtë” këtë vit. Do të ishte shumë interesante nëse ndodh”, tha Drogba në një intervistë për ‘Goal’.