Tibo Kurtua është prej kohësh një nga portierët më të mirë në botë. Belgu la Çelsin në verë për t’u transferuar te Reali i Madridit. Aventura me “Los Blancos” nuk po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme dhe 26-vjeçari po zhvillon një sezon aspak pozitiv.
Ai ka pësuar 42 gola në 32 ndeshje të zhvilluara me Realin dhe ka arritur ta mbajë portën të paprekur në vetëm tetë ndeshje. Forma e dobët u përsërit edhe në ndeshjen e kombëtares.
Belgjika nuk vuajti shumë për të mposhtur Rusinë 3-1 dhe për t’i nisur me fitore eliminatoret e Euro 2020, por Kurtua ju fali një gol rusëve. Ishte minuta e 16-të, kur portieri tentoi një driblim të panevojshëm, duke ia dorëzuar topin Çerishevit, i cili barazoi përkohësisht ndeshjen.
Në rrjetet sociale kanë shpërthyer ironitë kundrejt Kurtuasë, të cilit i ka dalë në mbrojtje Eden Hazard. Fantazisti i Çelsit ka bërë humor, duke dashur të ulë pak tensionin e atij episodi.
“Ndoshta Kurtua i sheh shumë videot e mia dhe ka provuar që të imitojë. Tashmë të gjithë në rrjete sociale po flasin vetëm për gabimin e tij, por kjo është diçka normale”, thekson Eden Hazard.