Eden Hazard ka qenë një çështje tek ekipi i Çelsit kohëve të fundit, ku jo pak herë është përfolur për një kalim të tij te Reali i Madridit. Kohët e fundit, lojtari i “Bluve të Londrës” ka thënë se ka marrë një vendim për të ardhmen e tij, gjë që ka shkaktuar shqetësim të madh nga ana e fansave.
Megjithatë, ai ka folur për të përditshmen “The Times”, ku ka vlerësuar trajnerin italian, Maurisio Sarri dhe la të kuptohej se e ardhmja e tij mund të jetë në Londër, pasi ai dhe ish-tekniku i Napolit kanë ide të njëjta për mënyrën e të luajtur futboll.
Belgu ka thënë: “Sarrit i pëlqen zotërimi i topit, është shumë i dhënë pas statistikave, numrave, gjuajtjeve dhe mundësive për gola. Në të shkuarën ne luanim me kundërsulme më shumë. Është ndryshe tani me Sarrin, nuk është e njëjtë si me Konten apo edhe me Murinjon. Ndonjëherë mbajmë topin më shumë dhe unë e kuptoj se tifozët duan që ne të sulmojmë, por edhe kjo është pjesë e futbollit.”
“Akoma po vazhdojmë që të mësojmë nga idetë e tij, po bëjmë mirë dhe më pëlqen ky lloj i futbollit. Sarri është një trajner i shkëlqyer. Ai ka eksperiencë dhe mënyra si mendon lidhur me futbollin, është e njëjtë me timen”, ka deklaruar sulmuesi belg. Hazard po bën mjaft mirë këtë sezon me londinezët, ku në gjitha kompeticionet ka arritur qetë gjejë rrugën e rrjetës 15 herë në 31 ndeshje të zhvilluara.
HIGUAIN – Eden Hazard foli edhe për blerjen e janarit, sulmuesin argjentinas Gonzalo Higuain. Ai e vlerësoi atë si lojtar, por vuri në dukje faktin që i duhet kohë të përshtatet me stilin e lojës që bëhet në Premier Ligë. Gjithsesi ai beson se do të bëjnë mirë së bashku dhe “Pipita” do shënojë shumë gola me Çelsin.
“Kam luajtur vetëm dy ndeshje me Higuainin dhe e di që mund të bëjmë gjëra të mëdha së bashku. Në fakt jo vetëm me të, por edhe me sulmuesit e tjerë dhe anësorët. Ai duhet të përshtatet pak me futbollin anglez, sepse këtu kemi të bëjmë me futboll tjetër në krahasim me Italinë dhe Spanjën. Ai ka shumë eksperiencë, ka shënuar kudo. Është një djalë i mirë dhe i qetë. Sigurisht që do të shënojë edhe këtu shumë gola”, përfundoi belgu.