Hasani: Mos ta bëjmë dramë, tre pikë larg është vendi i dytë!

Drejtori teknik i Akademisë Vllaznia është i bindur se kthesa do të vijë shpejt, duke besuar te puna e trajnerit Cungu

Për Alban Hasanin, ish-futbollistin e Vllaznisë dhe disa skuadrave të tjera shqiptare, sot në cilësinë e drejtorit teknik të Akademisë Vllaznia, humbja e kuqebluve në Laç javën e kaluar nuk ka pse të bëhet dramë. Dhe, kjo sipas tij duhet parë në një këndvështrim më të gjerë, sepse është vetëm java e katërt dhe Vllaznia nuk është se nuk ka prodhuar lojë, dhe aq më tepër edhe me pikët në klasifikim nuk është e distancuar kur vendi i dytë në tabele është vetëm tre pikë më shumë se sa kuqeblutë. Ndaj, për këtë arsye, Hasani përcjellë mesazhe optimiste duke pasur besim që kjo skuadër, por edhe te trajneri Armando Cungu, të cilin ai e konsideron si ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri. “Këtu në Shkodër bëhet shumë shpejt dramatike gjithçka. Është një Partizan me një milion e gjysmë euro me gjithë atë staf të zgjeruar të tipit europian dhe me atë grup lojtarësh të mirëpaguar që ka në dispozicion dhe nuk ka mundur akoma të zhbllokohet në kampionat. Besoj që profesor Armando me eksperiencën që ka dhe me vlerat që disponon, pasi është ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri, do të dijë ta rikthejë skuadrën aty ku duhet dhe të dalë me sukses të plotë në këtë kampionat. Lojtarë si Vucaj, Hasani, Lika, Tafili, Krymi e Bardulla janë lojtarë që duhet të marrim përsipër më shumë, dhe për këtë unë shpresoj shumë për ndërrimin shumë shpejt të situatës. Vllaznia ka mesfushën më të mirë në Shqipëri, lojtarë që kanë dalë kampion, lojtarë që kanë bagazh shumë të madh.  Ndoshta ardhja e tyre me vonesë në ekipin e Vllaznisë ka bërë që për momentin të mos harmonizohen sa duhet repartet, por kam besim që edhe me një lojtarë goli që mund të jetë edhe brenda familjes tonë, Vllaznia duhet të dalin nga kjo situatë dhe ta kalojë këtë ngërç. Këtë vit të jeni të bindur se do të jemi shumë mirë se vitin e kaluar”, shprehet Hasani.

NDËRPRERJA  – “Është një mundësi shumë e mirë për skuadrën që në këtë situatë skuadra dhe stafi teknik të punojnë me përkushtim duke e shfrytëzuar këtë ndërprerje të kampionatit për një riorganizim të të gjithë aspekteve të saj. Këto lojtarë që kanë ardhur tek Vllaznia duhet të kuptojnë se kanë ardhur në një ekip shumë të madh dhe duhet të japin më shumë, sepse Shkodra pret më shumë prej djemve të tyre. Të mos harrojmë se për një periudhë të gjatë kohore në media të gjithë jemi shprehur se Vllaznia duhet të luajë me shkodranë. Ja ku janë shkodranët, lojtarë shumë të mirë, lojtarë të paguar dhe duhet të japin 100%, sepse Vllaznia pret shumë prej tyre dhe nuk duhet të luftohet për mbijetesë”, vijon Hasani, i cili flet edhe për pjesëmarrjen e Vllaznisë U-19 në Youth League, Liga e Kampioneve për të rinj.

VLLAZNIA U-19 – “Besoj se rezultati nuk i përgjigjet lojës, ku dy gola ishin më se të evitueshëm nga ekipi ynë, por kam një besim shumë të madh se në takimin e dytë në Shkodër, edhe me ndihmën e tifozëve, do ta përmbysim disavantazhin dhe do të kalojmë në turin tjetër. Zimbru nuk ishte një ekip më i mirë se i joni, ndoshta ishte një ekip më i formuar dhe më me përvojë në vite se i yni për sa i përket pjesëmarrjes në evenimentet europiane, sepse edhe organizimi i tyre ishte shumë më i mirë se akademitë tona. Të jemi të sinqertë, se ne në Shqipëri lëmë shumë për të dëshiruar për këto lloj organizimesh, por ne kemi më shumë kualitete”, theksoi ai. Sipas Hasanit, në ndeshjen e parë të luajtur ndaj Zimbrus në Moldavi talentet shkodranë kanë tërhequr jo pak vëmendjen e menaxherëve që në këtë ndeshje kanë qenë të shumtë. Ndër ta ai veçuar lojtarë të tillë si Pusi, Hysenaj dhe Miloti, për të cilët menaxherë dhe përfaqësues të disa klubeve europiane që ishin në tribunë kanë treguar interes për to, ashtu si për shtatlartin e mbrojtjes Enes Isufi, 17-vjeçarin që do të vëzhgohet në ndeshjen e kthimit. Ndërkohë, që duke folur konkretisht për këtë ndeshje, Hasani beson shumë se në përballjen e kthimit në Shkodër, Vllaznia U-19 do të përmbysë gjithçka në fushën e lojës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online