Në “Selman Stërmasi” luhet sot ndeshja e parë e javës së dytë dhe Tirana do kërkojë të bëjë autokritikë pas humbjes së pësuar me Kamzën. Trajneri Ze Maria, në konferencën e djeshme për shtyp, paralajmëroi ndryshime.
Braziliani e kërkon ndryshim përpara, ndaj edhe prapavija mbetet e njëjta. Sa i takon portës, edhe këtë javë do të mbrohet nga Abibi, ndoshta për të mos rrezikuar me Likën. Doka dhe Hoxhallari luajnë nga krahët e mbrojtjes, kurse Atinga dhe Turtulli janë përgjegjës për qendrën.
Karabeci dhe Mauexhe në mesfushë nuk lëvizin, ndërkohë që shqetëson Edon Hasani. Mesfushori ishte programuar titullar, por së fundmi ka pasur një dëmtim. Sot do të shihet gjendja e tij dhe të vendoset përfundimisht nëse luan.
Ze Maria gjatë javës ka provuar skemën me dy sulmues, me Blazhevskin dhe Sentamu nga minuta e parë. Greca është i sakrifikuar. Por nuk është vetëm kjo lëvizje, pasi Kobinah është zhvendosur pas sulmuesve, në pozicionin e tij natyral.
Formacioni i mundshëm: Abibi, Doka, Turtulli, Atinga, Hoxhallari, Karabeci, Mauexhe, Hasani, Kobinah, Sentamu, Blazhevski
Teuta e nisi kampionatin me një barazim në shtëpi kundër Flamurtarit, por shpërdoroi shumë. Trajneri Bledi Shkëmbi pret një ekip më efikas ndaj Tiranës, ndërkohë që nuk ka ndryshuar asgjë në formacion. Hidi në portë, për të vijuar me Gjorgjievskin, Bicajn, Osmanin dhe Hakajn në mbrojtjes.
Në mesfushë dyshja Avdyli-Sidibe ngrenë “digën”, kurse Arsid Kruja është pozicionuar pak para tyre. Amadu Latif luan në majë të sulmit dhe do të ketë mbështetjen e Seku Kamara dhe Boubakar Traore.
Formacioni i mundshëm: Hidi, Gjorgjievski, Bicaj, Osmani, Hakaj, Avdyli, Sidibe, Kruja, Kamara, Traore, Latif