Hasan Lika nuk gëzon: Na pret kampionat “ferri”

0

Vllaznia i ka fituar deri më tani të gjitha ndeshjet në kampionat. Dje shkodranët thyen Erzenin me një gol të Arsen Hajdarit, ndërkohë që pas ndeshjes trajneri Hasan Lika ka folur për mediat dhe pranoi se nuk ishte aspak e lehtë të merrnin pikët e plota.

“Sigurisht që çdo fitore është e vështirë. Unë e kam përsëritur shpesh këtë gjë se asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Megjithatë e rëndësishme ishte ta fitonim edhe këtë takim ndaj një rivali siç është Erzeni, që mban vendin e tretë në renditje, dhe ta vazhdojmë rrugën tonë. Mund ta kishim mbyllur më shpejt ndeshjen, por disa raste që iu krijuan brazilianit Zhunior këtë herë nuk i shfrytëzoi. Po ashtu edhe nigeriani Eziamaka që luajti disa minuta, pati një rast për të shënuar”, tha Lika për mediat.

Më tej ai thekson se duhet vijuar me rezultatet pozitive për të realizuar objektivin që Vllaznia ka. “Duhet të vazhdojmë të punojmë fort, sepse kampionati po tregon se do të jetë shumë i vështirë deri në fund. Tashmë duhet të mendojmë për sfidën e radhës me Shënkollin, që është po aq e vështirë sa kjo me Erzenin”, përfundoi tekniku i Vllaznisë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.