Me fundin e sezonit vjen dhe hapja e merkatos, që ka nisur me të reja, sidomos nga legjionarët. Ergys Kaçe e ka përfunduar aventurën e tij te Panathinaikosi. Mesfushori i Kombëtares sonë do të rikthehet përsëri te kampionët e PAOK-ut, pasi periudha e tij e huazimit përfundoi.
Në një postim të faqevë të klubit grek në rrjetet sociale, Panathinaikosi falënderonte Kaçen për kontributin e tij dhe për paraqitjet e dhëna.
25-vjeçari luajti 20 ndeshje në kampionat, 16 prej të cilave si titullar, si dhe gjeti dy herë rrugën e rrjetës. Kaçe ka një kontratë me ekipin e PAOK-ut të Selanikut deri në vitin 2020.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Ivan Balliu ka përfunduar kontratën e tij me Metzin, me mbrojtësin që do të jetë lojtar i lirë. 27-vjeçari ishte një ndër lojtarët kryesorë të ekipit francez në ngjitjen në elitën e futbollit në Francë, por tashmë kontrata e tij ka përfunduar.