Hallaçi: Sherifi jo favorit, shanset 50 me 50

Kapiteni i Kukësit nuk e sheh superior kundërshtarin, pavarësisht se takimi i parë dhuroi një rezultat jo shumë të favorshëm. Me ndihmën e tifozëve Rraman Hallaçi beson se mund të kalohet sherifi, pasi shanset në ndeshjen e kthimit janë të barabarta. Shënimi i një goli do të vendoste gjithçka në ekuilibër.

KUNDËRSHTARI

”Çdo ndeshje ka delikatesën e vet, megjithatë ne në ndeshjen e parë ne dolëm kokëlartë pavarësisht se e humbëm ndeshjen, pasi bëmë një lojë mjaft të mirë. U munduam që të mos mundeshim, por futbolli i tillë është dhe falen dhe gabimet njerëzore, siç i ndodhi mbrojtësit tonë. Tani duhet të gjejmë forca për ndeshjen e kthimit. Si fillim duhet të shënojmë një gol që më pas të mendojmë për golin e dytë. E theksoj se ka një rëndësi shumë të madhe që të gjejmë golin e parë dhe të futemi më pas si të barabartë. Kundërshtari ka një mesfushë dhe sulm shumë të fortë dhe të shpejtë, por dhe në mbrojtje kanë kualitet. Fakti se ne krijuam disa raste atëherë doli sikur nuk janë shumë mirë në mbrojtje. Ata janë shumë të mirë në mbrojtje, por cilësia jonë bëri që të dalim disa herë para porte. I kemi të gjitha mundësitë që ta arrijmë objektivin”.

SITUATA

”Moralin e kemi lart dhe së bashku me presidentin, trajnerin dhe lojtarët kemi qëndruar bashkë. E theksoj se atje kemi bërë një ndeshje të mirë, trajneri ka bërë maksimumin për t’i ngritur kokën çdo lojtari dhe për ta bindur se ne i kemi mundësitë për ta kaluar këtë sfidë shumë të rëndësishme. Kemi eksperiencë, pasi kemi disa vite që luajmë në Europa League, por është hera e parë që jemi pjesëmarrës në Champions League, ndaj është detyrë e çdo lojtari që të bëjë maksimumin në këtë ndeshje. Ne kemi lojtarë që luajnë prej vitesh në nivele shumë të larta mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që të luajmë si të barabartë me Sherifin, edhe pse kanë shumë eksperiencë dhe kanë shkuar disa herë në grupet e Europa League-s. Ne do të bëjmë maksimumin tonë për një investim të dhënë”.

TIFOZËT

”Tifozeria kuksiane gjithnjë na ka mbështetur, në çdo sezon. Ne i bëjmë thirrje që të na mbështesin sepse gjithçka është e hapur dhe vetëm një gol na ndan që të jemi të barabartë dhe më pas golin e dytë duke pasur mbështetje të madhe do të synojmë golin e dytë që të arrijmë tek kualifikimi”.

SHANSET

“Nuk besoj se Sherifi është shumë i favorizuar, pavarësisht se ka një gol diferencë, mendoj se me skuadrën, kualitetet dhe blerjet që kemi bërë, shanset janë 50 me 50”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *