Kamza ka në përbërje 4 futbollistë, që kanë veshur fanellën e Skënderbeut. Portieri vlonjat: Duhet grintë dhe shpirt, ndryshe…
Vladimir Prenga
Kamza po u jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Skënderbeun, teksa ditën e hënë pritet që stadiumi të jetë i mbushur, pasi për ta do të jetë ndeshja e parë për këtë sezon në shtëpi dhe tifozët kërkojnë ta shohin nga afër ekipin e tyre, që këtë verë është përforcuar me lojtarë të rëndësishëm. Trajneri Ramadan Ndreu ka mbajtur shënime gjatë ndeshjes së Kupës me Ilirinë, që ishte një test para përballjes me Skënderbeun, gjë që e shprehu edhe para ndeshjes për gazetën trajneri krutan i Kamzës. Paraqitja e bërë në Kukës është një motivim për kamzalinjtë, ndërkohë që në ekip kanë katër ish-lojtarë të korçarëve, tre prej të cilëve kanë luajtur sezonin e shkuar, por pa pasur shumë hapësira.
Trajneri Ndreu do të bazohet tek ata dhe pritet që të jenë titullarë të hënën. Fukui do të luajë në të majtë të mesfushës, ndërsa Plaku në sulm. Mbetet për t’u parë pozicioni i Idrizajt, që në ndeshjen e fundit me Ilirinë u provua në mesfushë, me Frashërin që ishte titullar në të djathtë të mbrojtës. Të gjithë këta futbollistë e njohin mirë Skënderbeun, por kjo nuk mjafton, pasi bëhet fjalë për një ekip mjaft të fortë dhe që është një hap para ekipeve të tjera, kjo edhe për faktin se është në garë në Kupat e Europës dhe ritmi i tyre është tjetër. Gjithsesi dëshira dhe egoja për të fituar te Kamza është e madhe dhe do të bëjnë maksimumin për ta nisur me këmbë të mbarë në stadiumin e tyre, që këtë verë i është nënshtruar rikonstruksionit dhe do të luhet në një tapet të ri.
HALILAJ – Portieri vlonjat është lojtari më me eksperiencë në ekipin e Kamzës, ndërkohë që ditën e djeshme ka folur në “Supersport” për përballjen me Skënderbeun, që për Halilajn është shumë i vështirë se Kukësi i javës së parë. “Kemi një ndeshje akoma të fortë me Skënderbeun. Mendoj që duhet të futemi më me grinte, më me shpirt që t’i përballojmë ata, pasi ndryshe do ta kemi shumë të vështirë. Ekipi i Skënderbeut, veç 11 lojtarëve që kishte në fushë në Kiev, ka edhe një stol shumë të mirë. Nuk duhet të mendojmë se kanë shpenzuar shumë energji andej, pasi kanë lojtarë për ta përballuar”, tha fillimisht vlonjati, që më tej flet edhe për mbështetjen e tifozëve të hënën.
“Për mua është ndeshja e parë që luaj në Kamzë. Mendoj se do jetë një mbështetje e madhe e tifozëve. Shpresoj të jenë sa më shumë në numër që të na mbështesin për një rezultat pozitiv”, deklaron Halilaj, i cili është i bindur në realizimin e objektivave për sezonin e ardhshëm futbollistik. “Vetëm emri Kamzës është i vogël, pasi futbollist i ka me emër, kanë luajtur me ekip të mira në Shqipëri. Në vazhdimësi do kemi rezultate, pasi grupi është. Kemi dy objektiva, që mendoj se janë të realizueshme. I pari është qëndrimi në Superiore dhe i dyti pjesëmarrja në Kupat e Europës”, përfundoi 34-vjeçari deklaratën e tij.
Pirdh pirdh se lirohesh i thone!