“Hajmalia”, e ardhmja dhe llogaritë: Gega flet hapur

Trajneri Skënder Gega ka folur si gjithnjë në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së radhës. Tekniku tropojan ka analizuar pritshmëritë që ka për këtë takim, duke treguar se ka vlerësim maksimal për kundërshtarin, por në të njëjtën kohë beson se ekipi i tij ka aftësinë për të bërë mirë edhe në këtë përballje.

NDESHJA ME TEUTËN – “Ndeshja me Teutën ishte një takim i luftuar dhe me emocione. Ka lënë një shenjë të mirë, nga ana e Teutës. Unë jam i kënaqur, pasi morëm atë që na takonte edhe pse ne ishim atje për të fituar. ndeshja tregoi se ka luhatjeje e veta. Jam i kënaqur shumë që ekipi tregoi karakter, pas nisjes jo të mirë që bëmë dhe arritëm që të shkonim aty ku duhet. Ndeshja e radhës është e vështirë. Iku takimi me Teutën. Me durrsakët kemi bërë 2 ndeshje dhe kemi marrë 4 pikë, 1 fitore dhe 1 barazim. Shpresoj që ta analizojmë atë ndeshje dhe të shohim vetëm për takimin me Kukësin”.

MUNGESA E ASANIT – ”Çdo mungesë na rendon. Asani është një lojtar i ri, por këtë vit që jam unë këtu është në nivelin e duhur, nuk është absolut perfekt, pasi të gjithë gabojmë dhe të gjithë kemi problem dhe gjëra për t’u përmirësuar. Deri më tani ka qenë një prej lojtarëve që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm”.

MOMENTI I KUKËSIT – “Ka merita që ka arritur 3 fitore radhazi. Unë e di që kemi përballë një ekip të vështirë, me potencial dhe i respektoj, por ne jemi ekipi kryesues dhe kemi një distancë prej 5 pikësh. E dimë forcën tonë dhe do mundohemi që të bëjmë ato që dimë ne më mirë. Jemi përgatitur për Kukësin dhe për çdo ekip në Shqipëri”.

BARAZIMI NJË OPSION – “Unë si trajner nuk mund të caktojë para ndeshjes se do të hymë për barazim. Kjo vendosje, kjo lëvizje, kjo mënyrë se si do të luajmë do të na japë barazimin. Do mundohemi të jemi të kujdesshëm dhe të luftojmë për gjithçka, atë që na takon, barazimi dhe fitoja janë gjëra të tjera që nuk vendosen një ditë më parë apo në konferenca për shtyp”.

RINOVIMI – “Jam gjatë gjithë kohë në punë. Marrëveshja jonë ka qenë mes familjes. Nuk erdha për qëllimin për të qëndruar as 5 vite dhe as shumë e shumë vite. Erdha për të dhënë kontributin tim, për të marrë mundësinë për të treguar se mund të kontribuoj që diçka mund të bëhet më mirë. Deri më tani jam jashtëzakonisht i kënaqur. Jam krenar për futbollistët që kam dhe për punën që bëj, për atë që kanë dhënë në fushë, për mbështetësit, për stafin dhe gjithçka më pas kur të vijë momenti do të zgjidhet”.

MERKATO – “Kukësi dhe Luftëtari janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Do të kemi kohën që të ulemi dhe të flasim. Nuk është dëshira për të larguar ndokënd, por për të përforcuar grupin. Kemi edhe dy faza shumë të vështira. Do të jemi të kujdesshëm që të mos largojmë njeri që nuk e meriton, por dhe të mos afrojmë njeri që nuk e meriton. Do lëvizim me pjekuri dhe me qetësi. Është e rëndësishme që klubi është në dispozicion dhe nuk do të kursehet që ekipi të ketë shtytje më të madhe”.

NDËRHYRJA E HILËS – “ Janë shumë gjëra që diskutohen dhe nuk dalin  në konferencë. Si gjatë ndeshjes dhe më pas. Asgjë e mirë që e dëmton ekipin nuk është e mirë dhe unë nuk e mbështes. Holla është lojtar i mirë, me ego, e do këtë fanellë edhe pse ka pak kohë. U kaluan, u panë ato momente. Nuk e di nëse do të mungojë, pasi janë persona të tjerë që interesohen. Unë e llogaris për ndeshjen e radhës.

MUNGESA E TIFOZËVE – “Do të jetë një ndeshje e qetë, Do të dëgjohen trajnerët dhe do jem i kujdesshëm që të flas me shumë pozitivistet. Lojtarët uroj të shprehen në fushë dhe secili të marrë atë që i takon. Nuk kam dëshirë të gjykoj apo të paragjykoj një vendim të një institucioni. Është fakt që do na mungojnë tifozët. Është humbje e madhe për ne. E patë dhe në Durrës që na përkrahën për 90 minuta. I dimë hallet që kanë njerëzit dhe u jemi mirënjohës dhe borxhli karshi tyre dhe uroj që të na kthehen sa më parë”.

HEBAJ – “Nuk them se është hajmali kush del në konferencë për shtyp përkrah meje. Kam pasur në krah lojtarë shumë me më shumë eksperiencë se Hebaj, me kontribut si na eksperienca dhe mosha dhe ka rastisur që kemi humbur. Hebaj është këtu sepse është lojtar i rëndësishëm për skuadrën. Është vetëm 20 vjeç dhe po mundohet që të rritet çdo ditë. Është profesionist dhe ka dëshirë të madhe për t’u rritur. Uroj që Hebaj të shkojë sa më lart. Jam i kënaqur që sot e kam këtu”.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *