Sinqeriteti i Simeones, karizma e Johan Krujf dhe madhështia e Roberto Baxhios. Pep Guardiola vazhdon punën me Mançester Sitin e tij, por është ndalur te këto tre emra në intervistën e dhënë për “Movistar Plus”. Trajneri spanjoll flet me superlativa për Real Madridin e viteve 80-të dhe e mbyll me të ardhmen e tij.
Diego Simeone – “Përpara se të bëhej trajner i Atletikos, Diego Simeone erdhi nga Argjentina për të ndjekur disa seanca stërvitore të Barcelonës. Ishte një person i këndshëm. Biseduam për futboll, diskutuam dhe më tha: ‘Mua nuk më pëlqen ky lloj futbolli. Nuk e ndjej’.”
Johan Krujf – “Prezenca e tij me syze dielli, të frikësonte. Gjithmonë kam menduar që shumë prej gjërave që thoshte, nuk i mendonte me të vërtetë, por të bënte të besoje që kështu ishin. Ai nuk kishte një metodë stërvitje, merrej stafi i tij me atë punë. Por, ai kishte një metodë loje. Krujf më ka bërë të dashurohem me stilin e lojës së tij.”
Reali Madrid – “Në fundin e viteve 80-të, Reali ishte skuadra më e mirë që kam parë. Ishte një kënaqësi të shihje duke luajtur atë ekip. Ne ishim të lumtur, sepse Milani i Sakit i eliminoi nga Europa dhe Krujf na thoshte gjithmonë, që ne ishim më të fortë se ata.”
Roberto Baxhio – “Ai është një nga lojtarët më të pabesueshëm më të cilët kam luajtur.”
E ardhmja – “Nëse do të më vijë një shans për të drejtuar ndonjë kombëtare do e provoj. Argjentina? Jo, ju lutem (qesh). Dëshiroj ta mbyll aty ku e nisa. Hapat e mi të fundit do të jenë në “cantera” dhe shpresoj që në atë të Barcelonës.”