Antuan Grizman i qëndroi besnik i Atletikos së Madridit, duke refuzuar ofertat e shumë klubeve. Në krye ishte Barcelona. Sulmuesi francez rinovoi kontratën me ekipin “Colchoneros”, por karrierën dëshiron ta mbyllë tjetërkund.
“Dua ta mbyll me futbollin në Amerikë. Ndoshta me një prej këtyre dy ekipeve: Los Anxhelos Galaksi, ose Majemi, sepse këto janë dy qytete shumë të mira. Më pëlqen mentaliteti dhe kultura e spektaklit që ekziston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, zbulon sulmuesi 27-vjeçar, i cili është një nga kandidatët më të fortë për fitimin e trofeut të “Topit të Artë”.
Grizman ka fituar tre trofe gjatë këtij sezoni. Me Francën ai arriti majën e botës duke fituar Botërorin e Rusisë, ndërsa me klubin spanjoll, ai fitoi Europa Ligën dhe Superkupën e Europës. Që nga kalimi në drejtimin e Simeones, Grizman është rritur shumë si lojtar dhe sot ai është një nga më të fortët në botë.