Antuan Grizman është një nga sulmuesit më efikas në botë dhe ai vjen nga një sezon fantastik. Sulmuesi francez ka fituar tre kupa gjatë këtij sezoni: Kupën e Botës me Francën dhe Europa League e Superkupën e Europës me Atletikon e Madridit.
Në dy finalet e para ka shënuar dhe Grizman është një nga kandidatët kryesorë për fitimin e çmimit prestigjioz të Topit të Artë. Ai shpjegon qartë se pse duhet të jetë ai fituesi dhe thumbon FIFA-n për mungesën e lojtarëve francez në më të mirët, sipas qeverisë botërore të futbollit.
“Ky ka qenë sezoni më i mirë i karrierës time. Nëse nuk do të ma japin Topin e Artë do pyesja seriozisht se çfarë duhet të bëja më shumë për ta fituar atë? Kam shënuar, kam ngritur trofe të rëndësishëm dhe kam qenë deçiziv në momente vendimtare. FIFA The Best është një çmim që e jep FIFA, që organizoi Botërorin e Rusisë. Si ka mundësi që në treshen e kandidatëve për të fituar çmimin nuk kishte asnjë futbollist francez?
Çdokush bën zgjedhjet e tij, por në këtë rast ishte diçka e papritur. Mendoj që mund të konkurroj për të fituar Topin e Artë dhe do të ishte e mrekullueshme ta fitoja, sepse është një çmim i pakrahasueshëm. Në vitin 2016, unë humba finalen e Europianit dhe isha pjesë e treshes së parë. Këtë vit kam fituar tre finale dhe mendoj që është logjike të pretendoj atë çmim”, përfundon sulmuesi 27-vjeçar për “L’Equipe”.