Sulmuesi i kombëtares, Eros Grezda, ka folur sot për Supersport, ku ka prekur ndeshjet kundër Islandës dhe Mildavisë, krahasoi Panuçin me Rejën dhe foli edhe për të ardhmen e tij. Mes të tjerash, sulmuesi 23-vjeçar i Rejnxhërsit tha:
REJA – “Janë shumë pak ditë për ta njohur njëri-tjetrin, por me ato që kemi parë në fillim, është gjithçka shumë pozitive. Ka një entuziazëm në grup, ndonëse nuk jemi të gjithë gati. Kemi kaluar shumë mirë.
KRAHASIMI ME PANUÇIN – “Është ende herët, por ndryshimi shihet, pasi janë dy persona totalisht të ndryshëm. Edhe eksperienca bën të vetën, pasi Panuçi ishte në fillimet e tij, ndërsa Reja ka shumë vite përvojë dhe di të ndërtojë raporte mjaft të mira me lojtarët.
NDESHJET E RADHËS – “Me Islandën është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi është një rival direkt për kualifikimin, ndaj do të jetë shumë e rëndësishme që të mos humbasim. Ndërsa ndaj Moldavisë duhet të marrim maksimumin. Ne do të luajmë për 6 pikë, pasi për të shkuar në Europian, duhet të fitojmë ndeshjet, Megjithatë mendoj se edhe 4 pikë, do të ishin shumë mirë për këto dy takime.
SEZONI NË SKOCI – “Nuk kam pasur fat me dëmtimet, që më kanë shoqëruar vazhdimisht. Pikërisht dëmtimet më lanë mbrapa dhe nuk po arrija të futesha në ritmin e skuadrës. Kam edhe 3 vite e gjysmë kontratë me Rangers, por gjithçka mund të ndodhë. Për momentin jam i grumbulluar me Kombëtaren dhe përqendrimin maksimal e kam këtu. Objektivi kryesor i imi është që të luaj, por nuk di të them çfarë do të ndodhë. Huazim? Ja të mbyllim ndeshjet me Kombëtaren dhe më pas të shohim se çfarë do të na sjellë e ardhmja.