Eros Grezda luajti ndeshjen e tij të parë si titullar me Rejnxhërsin. Lojtari i Kombëtares kuqezi foli p0ër mikrofonin e klubit pas debutimit me skuadrën legjendare të Skocisë, duke treguar emocionet e tij në këtë takim special. Grezda nuk nguroi që të tregonte se ishin kushtet atmosferike ato që e penguan që ai dhe shokët e skuadrës të jepnin më të mirën. Vetë anësori tregon se futbolli skocez i përshtat atij, për faktin se karakteristikat e tij përputhen me stilin e lojës atje.
“Jam i lumtur që isha nga minuta e parë sot me ekipin, por ishte pak e vështirë për shkak të kushteve atmosferike, pasi kishte shumë shi dhe era ishte mjaft e fortë. E rëndësishme mbi të gjitha është që arritëm të merrnim tre pikët. Bëmë një ndeshje të mirë në gjysmën e parë dhe nuk e hoqëm në asnjë moment dorë nga kërkimi i fitores. Në pjesën e dytë ishte një ndeshje mjaft e fortë, pasi ishte e vështirë për të gjetur hapësira dhe na u desh shumë që të punonim për të gjetur hapësira për të shënuar. Pasi gjetëm golin e parë ishte më e lehtë për ne. Them se kemi bërë mirë sot, duke marrë në konsideratë dhe kushtet e vështira atmosferike. Në pjesën e dytë bëmë një ndeshje shumë më të mirë”.
“Futbolli këtu është ndryshe nga ai në Kroaci, pasi luhet shumë më shumë faktikisht atje, ndërsa këtu futbolli është më i fortë dhe më i shpejtë. Unë jam një lojtar i shpejtë dhe them se jam në skuadrën e duhur,, por mbi të gjitha jam i lumtur që jam këtu. Në mesjavë na pret një ndeshje ndryshe nga kjo e sotmja me Spartakun e Moskës. Do të jetë një takim shumë më i vështirë. Kanë cilësi dhe diçka të tillë e kanë treguar dhe në ndeshjen e parë Ne do të kërkojmë vetëm fitoren në ndeshjen kundër tyre”.