Pa zhurmë, Flamurtari godet sërish në merkato dhe duket se ka blinduar përfundimisht repartin e mbrojtjes. Pasi zyrtarizoi Ditmar Bicajn para pak ditësh, klubi vlonjat ka zyrtarizuar sot mbrojtësin Goran Siljanovski.
Bëhet fjalë për një mbrojtës 26-vjeçar nga Maqedonia, i cili është pjesë e kombëtares së vendit të vet.
Siljanovski është nga Tetova dhe si futbollist është rritur te Mekadonija Gj.P., ndërsa në fillim të vitit 2010 kaloi te Vardari, ku u bë titullar fiks. Një vit më pas kaloi te Teteksi, sërish titullar, ndërsa në periudhën 2011-2013 ishte një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Renovës.
Prej verës së vitit 2013 Goran Siljanovski ka luajtur për Rabotniçkin, 4 sezone të shkëlqyer, me shumë ndeshje edhe në Europa League, ku mbetet kulm i karrierës mbërritja deri në fazën play-off, me 8 ndeshje të luajtura në edicionin 2015/2016.
Mbrojtës i djathtë, Siljanovski dha një kontribut të çmuar këtë sezon te Rabotniçki (30 ndeshje titullar e 4 gola në kampionat), që e mbylli në vendin e tretë, ndërsa tani është prezantuar në Vlorë, qartësisht një goditje që mban emrin e Shpëtim Duros, njohës i shkëlqyer i kampionatit maqedonas.