Drejtuesit e Besës ende janë të pakënaqur me afrimet e reja në skuadër. Duke qenë se nga sezoni i kaluar janë larguar disa titullarë, presidenti Bizhdili dhe trajneri Magani kanë përveshur mëngët për të bërë zëvendësimet, me prioritet talentet me moshë të re. Këtë e konfirmon për SportEkspres.com, njëshi i klubit kavajas, i cili deklaron se pasi ka konfirmuar rreth 70% të ekipit të sezonit të kaluar, merkato nuk po kryhet për të kaluar radhën.
“Mosarritja e synimit për ngjitjen në Superiore sezonin e kaluar na ka mësuar shumë gjëra. Kemi ruajtur rreth 70% të lojtarëve nga sezoni që mbyllëm dhe fokusi ynë është përqendruar te lojtarë cilësorë dhe talente të reja. Në këtë merkato, së bashku me trajnerin Magani, po tregohemi të kujdesshëm me lëvizjet dhe gjithçka e kemi zhvilluar me një strategji afatmesme e afatgjatë”, thekson Nexhat Bizhdili në këtë deklarim.
Ndërkohë, presidenti i Besës jep edhe një lajm të “fshehtë”, se, në mesjavën e ardhshme tre lojtarë nga Superiorja i bashkohen skuadrës së tij. “Në merkato ne nuk po synojmë lojtarë për të kaluar radhën, ka ikur ajo kohë te Besa. Në mesjavë do nënshkruajnë dy futbollistë cilësorë, të cilët vijnë nga Kategoria Superiore dhe tre të tjerë nga skuadra të njohura në Kategorinë e Parë. Paralel me përgatitjet, merkato do jetë e orientuar nga Superiorja, ky është synimi i Besës”.
AGRON KAJA