Gnabri më i miri i vitit? Belerin lëshon perlën

Serxh Gnabri është lojtari më i mirë i vitit për Bajernin e Mynihut. Gjermani ka bërë një vit mjaft cilësor, duke e ndihmuar ekipin gjerman të fitojë dopietën. Të shumtë kanë qenë shokët dhe miqtë, që e kanë uruar 23-vjeçarin për këtë çmim. Padyshim nuk kishte sesi të mungonte urimi nga një njohje e vjetër si Hektor Belerin.
Spanjolli dhe Gnabri njihen që në kohën kur të dy stërviteshin së bashku te Arsenali. Topçinjtë janë klubi, që i ka dhënë dorën e parë për të debutuar në futbollin profesionist të dyve. Arsenal në kohën kur Gnabri ishte pjesë e ekipit, kishte forcë të madhe në sulm dhe iu desh ta huazonte tek Uest Bromuiç.

Klubi modest e ktheu talentin vetëm pas gjashtë muajsh me argumentin se nuk ka potencial për të luajtur për ta. Arsenal më pas vendosi ta shesë te Verder Bremen për 5 milionë euro. E vetmja skuadër, që besoi në atësitë e tij ishte Bajerni. Bavarezët ia morën Verderit në këmbim të nëntë milionë eurove dhe pjesa tjetër është histori.

Në urimin e tij, Belerin kujton kohën kur Gnabri nuk u pranua te Uest Bromuiç. 24-vjeçari ironizon me klubin anglez dhe shprehet se gjithmonë e ka ditur se shoku i tij ishte më i miri. “Përkundër kësaj, nuk je mjaftueshëm i mirë për të luajtur me Uest Bromuiç. Urime vëlla gjithmonë e kam ditur se je më i miri”, shkruan Bellerin në “Twitter”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *